Paloka hap Kuvendin e Berishës: Jemi demokratët e rrebeshit, jo të shampanjës, rithemelojmë PD

schedule11:31 - 11 Dhjetor, 2021

schedule 11:31 - 11 Dhjetor, 2021

Edi Paloka ka hapur Kuvendin e thirrur nga ish-kreu i PD Sali Berisha, ditën e sotme në stadiumin Air Albania. Paloka deklaroi se kjo ditë do të hyjë në historinë e Partisë Demokratike si dita e rithemelimit të saj. Ai u shpreh se opozita e vërtetë nuk hyn në pazare me Edi Ramën.

“Mirë se keni ardhur në Kuvendin e demokratëve të lirë. Prania juaj sot këtu në një ditë si kjo ku mesa duket edhe Zoti ka dashur të shtojë simbolikën e tij. Ne jemi demokratët e rrebeshit. Të tjerët le të shkojnë te shampanja. Kjo ditë do të hyjë në historinë e PD. Për herë të parë mblidhet një kuvend me kërkesën e delegatëve. As thjesht për numrin e pazakonshëm të pjesëmarrësve.

 Pas 31 vitesh ne mblidhemi edhe njëherë për ta rithemeluar Partinë Demokratike mbi idealet dhe parimet mbi të cilat e ngritën dhe për ta vendosur përfundimisht në shinat e konservatorizmit. E kam konsideruar veten me fat që në dhjetor të vitit 1990, u bëra pjesë e lëvizjes studentore dhe njëri prej atyre që themeluan PD. Sot do themi me krenari.

Unë isha aty ditën kur u rithemelua PD. Ky Kuvend për herë të parë mblidhet me kërkesën e delegatëve. Sot numri i firmëtarëve është shumë më i lartë se ai i ditëve të para. Kriza ku gjendemi sot si pasojë(…. ovacione “O Sali o hero, Shqipëria ty të do”….) ku gjendemi sot si pasojë e dështimeve për të mposhtur regjimin dhe pozicionimi që kryetari aktual i bërë Partisë Demokratike pas 25 prillit, jo përballë regjimit, por çdo ditë e më shumë në krah të tij. Kjo është arsyeja pse jemi mbledhur sot këtu për të kuvenduar. Për të kthyer shpresën dhe besimin te shqiptarët që kërkojnë ndryshim.

Opozita e vërtetë nuk e ka ulur kokën. Nuk hyn në pazare me Ramën por është më e gatshme për t’u përballur me Ramën. Ka nga ata që na pyesin dhe na kanë pyetur dhe thonë pse tani dhe jo më parë. Përgjigja është e thjeshtë. 25 prillin e konsideruam masakër zgjedhore. Me Ramën nuk mund të prisnin asgjë tjetër. Të gjithë ne mbajmë përgjegjësi që nuk arritën të përkthejmë në fitore sakrificat e demokratëve. Duke pranuar këto përgjegjësi, ne ju premtuam demokratëve dhe votuesve që do të vazhdonim betejën”, tha Paloka. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!