Palmer: Kemi dëshmi të forta për korrupsionin e Dakos

schedule10:05 - 2 Gusht, 2019

schedule 10:05 - 2 Gusht, 2019

Vangjush Dakos i është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak se autoritetet amerikane kishin dëshmi të forta për aktet e tij të korrupsionit. Është ky reagimi i zv.ndihmës sekretarit amerikan të shtetit Matthew Palmernë një intervistë për Zërin e Amerikës. Palmer flet edhe për domosdoshmërinë e ngritjes së gjykatave të larta në vend, ndërsa sugjeron që institucionet shqiptare ta zgjidhin vetë krizën, pa ndërhyrje nga jashtë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur dëshmi të forta për korrupsionin e ushtruar nga ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, para se të vendosnin shpalljen e tij non grata. Deklaratën e ka bërë në një intervistë për “Zërin e Amerikës”,  zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Matthew Palmer.

“Kemi pasur dëshmi të forta në lidhje me aktivitetet e korrupsionit nga ana e zotit Dako. Dhe ne kemi autoritetet që janë të nevojshme për të ndërmarrë veprime në përgjigje të kësaj. Është një autoritet që ne me siguri nuk kemi frikë ta përdorim. Dhe është një autoritet që ne besojmë se mund të kontribuojë në procesin e luftimit të korrupsionit publik në Shqipëri dhe gjetkë”.

Palmer nuk e sheh këtë si një çështje të kryeministrit Rama, por si një dëshmi se si SHBA reagojnë ndaj akteve korruptive.

“Nuk mendoj se e shohim këtë si çështje të qeverisjes së Kryeministrit. Ne e shohim këtë si një çështje se si Shtetet e Bashkuara reagojnë ndaj sfidës së praktikës korruptive nga ana e atyre që janë në pozitën e besimit publik”.

Duke komentuar situatën paszgjehdore në Shqipëri, z.Palmer u shpreh se vendimi nëse zgjedhjet duhen përsëritur apo jo, i takon gjykatës.

“Kjo varet në të vërtetë nga institucionet shqiptare. Apo jo? Dhe pikërisht për këtë arsye ne do të donim që Gjykata e Lartë të ngrihej, e përbërë nga gjyqtarë që kanë kaluar procesin e duhur të verifikimit. Ajo gjykatë do të ishte pikërisht në gjendje t’i përgjigjej asaj pyetjes. Nuk u takon Shteteve të Bashkuara që ta gjykojnë atë çështje. I takon Gjykatës së Lartë të Shqipërisë ta marrë atë vendim.”

Aktualisht vendi nuk ka Gjykatë të lartë dhe ky është shqetësimi më i madh i zotit Palmer.

“Ajo që na Shqetëson është se nu kka një gjykatë të lartë. Ne do të dëshironim që gjykata të konstituohej. Mendojmë se është shumë e rëndësishme që çdo sistem të ketë kontrollet dhe ekuilibrat e duhur, në mënyrë të ketë përgjegjshmëri, transparencë dhe respek për sundimin e ligjit. Ne ia kemi shtruar këto çështje Kryeministrit Rama, siç kemi bërë me paraardhësin e tij dhe si ç’do të bëjmë edhe me pasardhësin e tij. Kjo është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, është e rëndësishme për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar”.

Gjatë intervistës zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit thotë se institucionet shqiptare duhet ta zgjidhin vetë krizën pa ndërhyrje nga jashtë..

“Ne nuk po mbështesim kryeministrin Rama. Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë. Ajo që ne po mbështesim është sundimi i ligjit, mbështesim institucionet shqiptare. Dhe ne do të dëshironim që mosmarrëveshjet politike në Shqipëri të zgjidheshin përmes këtyre institucioneve e jo përmes ndërhyrjeve nga jashtë”.

Lidhur me procesin zgjedhor te 30 qershorit, Palmer shprehet se ekzistojnë shqetësime dhe rezerva reale në lidhje me vetë zgjedhjet,  shqetësime këto të artikuluara edhe nga OSBE. Por, përgjigjet e duhura ndaj kësaj, thotë Pakmer, duuhet t’i japin institucionet shqiptare.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!