TIRANË- “Në vitet e para të emërimit të tij, në krye të kishës autoqefale, kryepeshkopi Anastas shërbeu në kishën ungjillëzimi, pranë rrugës së Kavajës në Tiranë. Ringiritjen e kishave të mbyllura dhe të shkatërruara nga regjimi, kryepeshkopi Anastas e nisi pikërisht nga këtu. Kjo kishë u ndërtua fillimisht në vitin 1964 dhe në vitin 1967 ajo u kthye në palestër për stërvitjen e klubit të Tiranës”
Ndarja nga jeta e kryepeshkopit Anastas, ka trishtuar besimtarët ortodoksë.
Më të vjetrit në moshë kujtojnë periudhën e errët kur kisha Ungjillëzimi shërbeu për vite me radhë si ambient sportiv, ndërsa Kryepeshkopi Anastas e rindërtoi, duke ua rikthyer sërish ortodoksëve të Tiranës.
“Kryepeshkopi Anastas e ngriti nga themelet këtë kishë. Ka qenë palestër kjo”
Në ambientet e jashtme të kishës ungjillëzimi qëndrojnë si dëshmi, imazhet nga e kaluara të kësaj kishe të rrënuar, por edhe të tjerave në vend që u rindërtuan. Kambanat vajtuese ishin të pranishme në çdo moment në Katedralen ngjallja e Krishtit në Tiranë.
Besimtarët ortodoksë ndezën qirinj dhe u lutën për shpirtin e kryepeshkopit të ndjerë. I njohin kontributet për ringritjen e kishës dhe afrimit të njerëzve sërish pranë Zotit./abcnews.al