Pakt kombëtar për integrimin/ Komisionerja e BE: PS dhe PD të çojnë para reformat

schedule18:16 - 6 Shkurt, 2025

schedule 18:16 - 6 Shkurt, 2025

Një pakt kombëtar mes qeverisë dhe opozitës për të cuar përpara reformat, do të përshpejtonte anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ky propozim erdhi nga komisionerja për zgjerimin, Marta Kos, e cila teksa e cilësoi Tiranën zyrtare pararojë në procesin e integrimit, solli si shembull rastin e Sllovenisë, se si vullneti I politik i palëve mund të ndikojë në integrimin e vendit në familjen europiane.

“Për të shpejtuar me të vërtetë procesin e anëtarësimit, këshilla ime për vendet kandidate është që ta bëjnë anëtarësimin një projekt kombëtar. Një projekt që është në pronësi jo vetëm të qeverisë, por edhe të opozitës, organizatave të shoqërisë civile dhe komuniteteve lokale. Të gjithë duhet të jenë pjesë e këtij rrugëtimi transformues. Në kohën kur Sllovenia ishte kandidate për anëtarësim, kishte një marrëveshje mes të gjitha partive politike që të mos debatonin për çështjet e BE-së. Ky unitet ishte i dobishëm në përshpejtimin e rrugës drejt anëtarësimit në BE.”

 I pranishëm në panelin e mbajtur në Bruksel, ishte edhe ambasadori i Greqisë në Bashkimin Europian, i cili solli si shembull raportin e Tiranës me Athinën për të shpjeguar sesi zgjidhen ngërcet mes dy vendeve.

“Kur u zgjidh një çështje që na shkaktonte një problem, ne u ulëm në tryezë me shqiptarët dhe brenda 2.5 muajsh arritëm më shumë se sa nuk ishte arritur në dy dekadat e mëparshme. Ata duhet qe të fokusohen në një axhendë pozitive, qe të vazhdojnë reformat e nevojshme dhe të shmangin përkeqësimin e problemeve duke forcuar marrëdhëniet e tyre me vendet fqinje.”

 Muajin e kaluar, Marta Kos tha se Shqipëria mund të jetë anëtare e Bashkimit Europian edhe përpara vitit 2029, teksa theksoi se procesi i zgjerimit do të mbetet I bazuar mbi merite. Deri më tani, Shqipëria ka zhvilluar tre konferenca nderqeveritare, fillimisht në tetor u celen negociatat për grupkapitullin e “Themeloreve” dhe në dhjetor grupkapitulli I “marredhenieve me jashte.”

/ abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!