Pako-bombe në qendër të Lionit, 13 të plagosur

schedule22:30 - 24 Maj, 2019

schedule 22:30 - 24 Maj, 2019

Shpërthimi i një pakoje – bombë në Lion të Francës ka lënë të plagosur mbi 10 persona. Hetimet i kanë kaluar prokurorisë së anti-terrorit, ndërsa  Presidenti Makron e ka cilësuar episodin një “sulm”.

Një pako bombë ka shpërthyer pasditen e së premtes në Lion të Francës duke plagosur 13 persona. Mes të lënduarve nga shpërthimi, i ndodhur në rrugën “Viktor Hygo”, është edhe një vajzë 8-vjeçare, që ka pësuar dëme sipërfaqësore. Ndërkohë, policia është vënë në kërkim të një çiklisti që është parë duke vendosur pakon jashtë një pastiçerie.

Prokurorët e seksionit të Anti-terrorit kanë marrë përsipër hetimet në qytetin e tretë më të madh të Francës. Ministri i Brendshëm francez, Kristof Kastaner ka deklaruar se ka urdhëruar rritjen e masave të sigurisë në vendet publike dhe në eventet kryesore që mbahen në vend. Reagimeve u është bashkuar edhe presidenti Makron, i cili ka deklaruar se bëhet fjalë për një sulm.

Duke theksuar se, për fat të mirë nuk pati viktima, ai u shpreh se ndodhet pranë familjarëve të të lënduarve. Pajisja, që ishte mbushur me vida, dado dhe bulonë shpërtheu rreth orës 17 e 30 me orën lokale, në rrugën që ndodhet në qendrën historike të qytetit. Dëshmitarë të marrë në pyetje nga hetuesit deklaruan se një person i moshës nga 30 deri në 35 vjeç mbërriti me biçikletë dhe la çantën pranë dyqanit.

Sipas dëshmive, ai mbante një maskë në fytyrë dhe syze të errëta. Hera e fundit që një pako-bombë ka shpërthyer në Francë daton në vitin 2007, kur pajisja shpërthyese vrau një person dhe plagosi një tjetër përpara një zyre ligjore në Paris. Policia nuk e gjeti kurrë atentatorin./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!