12 shkolla për edukimin e vajzave në veri të Pakistanit janë rrafshuar në një seri sulmesh me eksploziv dhe zjarr. Autoritetet fajësojnë për këtë agresion talebanët pakistanezë, që e konsiderojnë mënyrën e arsimimit të vajzave anti-islamike.
12 shkolla, kryesisht për vajza, janë bombarduar dhe u është vënë zjarri në veri të Pakistanit, ku militantët e lidhur me talebanët kundërshtojnë mënyrën e arsimimit. Policia lokale ka deklaruar se sulmet janë kryer në fshatrat e rajonit Diamer, një zonë e njohur për bukurinë skenike, por ku dhe janë verifikuar sulme të militantëve islamikë ndaj turistëve dhe minoritetit shiit. Sipas autoriteteve, sulmet kanë qenë të organizuara dhe agresorët janë përpjekur të depërtojnë edhe në një shkollë ushtarake, por janë zmbrapsur nga rojet. Për momentin përgjegjësinë për sulmet nuk e ka marrë askush, por zyrtarët vendas janë të bindur se pas tyre qëndrojnë militantët, të cilët e konsiderojnë mënyrën e arsimimit të vajzave si anti-islamike dhe për këtë kanë kryer një seri sulmesh të ngjashme edhe më herët, në veri dhe veri-perëndim të vendit. Në vitin 2012, talebanët qëlluan dhe plagosën rëndë fituesen e çmimit Nobel për Paqen, Malala Jusafzai, e njohur për mbrojtjen që i bëri edukimit të vajzave në luginën veriore të Suatit. Ndërsa në 2013-n, një grup talebanësh të veshur me uniforma policie, sulmuan një bazë alpinistësh në të njëjtën zonë, duke vrarë 9 alpinistë të huaj dhe 2 guida vendase. /abcnews.al