Kalon me procedurë të përshpejtuar marrëveshja për Portin e Durrësit, debate të forta mes opozitës dhe mazhorancës, Rama: Jeni të pafytyrë

schedule12:10 - 9 Nëntor, 2022

schedule 12:10 - 9 Nëntor, 2022

Ndryshe nga herët e tjera që seancat plenare jemi mësuar t’i shohim ditën e enjte, këtë javë Kuvendi ka vendosur të mblidhet ditën e sotme (të mërkurën). Në rend dite janë diskutimet mbi paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2023. Diskutimet do të nisin me projektligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”. Projekt-paketa e vitit 2023 unifikon akcizën për Birrën (prodhues vendas e të huaj), pavarësisht sasisë së prodhimit. Akciza do të jetë nga 360 lekë/HL, në 710 lekë/HL/shkallë alkoolometrike.

Sipas ligjit aktual prodhuesit me kapacitet prodhimi nën 200 mijë hektolitra paguajnë 15 lekë akcizë për litër, ndërsa mbi këtë kufi 30 lekë për litër.

E Mërkurë, 9 nëntor 2022, ora 10.0

RENDI I DITËS

Në mbështetje të urdhrit nr.85, datë 7.11.222 të Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, rendi i ditës është si më poshtë vijon:

1-Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 31.1.222.

2-Njoftime.

3-Projektligj “Për një ndryshim në ligjin nr.61/212, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. (Neni 78 I Kushtetutës dhe nenet 55,82 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë e thjesht votash për mitatim)

4-Projektligj “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92/214, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. (Neni 78 I Kushtetutës dhe nenet 55,82 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë e thjesht votash për mitatim)

5-Projektligj për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.992, datë 19.5.28, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. (Neni 78 I Kushtetutës dhe nenet 55,82 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë e thjesht votash për mitatim)

6-Projektligj “Për buxhetin 223”. (Neni 78 I Kushtetutës dhe nenet 55,82 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë e thjesht votash për miratim)

13:21 – Spiropali: Pjesëtarët e çetës së rubla-çorbës të gatshëm të bëhen edhe me djallin kundër Shqipërisë

Ministrja Elisa Spiropali në fjalën e saj në Kuvend tha se opozita është e marrë peng nga një person i vetëm, duke iu referuar Sali Berishës. Sipas saj, opozita ka marrë yrysh vetëm për të goditur stabilitetin dhe për të përdorur krizën që ka goditur botën për të kundërshtuar opozitën.

Spiropali: Ne nuk biem dakord për asgjë. Kultura e kundërshtimit është aq e ngulitur sa nuk arrijmë dot të diskutojmë. Nuk shërben si mundësi për të parë të njëjtin realitet. Kjo ndodh sepse një pjesë e madhe në këtë sallë është ndarë nga logjika. Ka probleme në Shqipëri? Padyshim. A është vendi më i mirë se dje? Padyshim që po. Botja dhe rajoni kanë hyrë në epokën e rrezikut të madh. kjo kohë kërkon qeverisje të qëndrueshëm dhe partneritet të rëndësishëm ndërkombëtar. Opozita është e marrë peng nga një individ me yrysh për të goditur stabilitetin dhe për të përdorur krizën që ka goditur gjithë botën. Pjesëtarët e çetës së rubla çorbës janë të gatshëm të bëhen edhe me djallin kundër Shqipërisë. Për atë që do të sjellë e ardhmja dhe e tashmja ne kemi skicuar një buxhet rezistence. Inflacioni është në nivele që dukeshin të tejkaluara dhe nuk janë parë që prej çerek shekulli.ne jemi votuar jo vetëm për të qeverisur në ditë në mbara, por suksesi i një qeverisjeje duhet parë nga elasticiteti që përballon krizat.

12:55 – “Porti i Durrësit, afera më e madhe në Europë”, Berisha akuzon Ramën: Ke për flamur, flamurin e Vuçiçit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka kritikuar miratimin e procedurave të përshpejtuara për Portin e Durrësit.

Në fjalën e tij nga Kuvendi, Berisha tha se Porti i Durrësit është afera më e madhe në Europë.

Sali Berisha: Ky njeri që ka për flamur, flamurin e Vuçiçit, ka për atdhe atdheun e Vuçiçi. Afera e Durrësit është afer Vuçiç –Rama. Afera më e madhe sot në Europë, afera e një njeriu që shkatërron vendin e tij për të mbushur xhepat e tij dhe për interesat e Vuçiçi.

12:18 – “Kemi inflacionin më të ulët në rajon”, Ibrahimaj: Ekonomia e qendrueshme, por e ardhmja nuk është fushë me lule

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka folur në Kuvend për buxhetin 2023.

Ibrahimaj tha nga foltorja se buxheti është krijuar në një kohë krize dhe mbulon të gjitha nevojat e qytetarëve.

Sipas saj në buxhetin e 2023 janë alokuar 50 miliardë lekë për të mbështetej sociale. Ibrahimaj theksoi se ekonomia shqiptare është e qendrueshme, pasi ka përballuar me sukses dy kriza, a pandeminë e Covid-19 dhe krizën energjitike.

“Buxheti i kthen përgjigje të gjitha nevojave. Janë 50 miliardë lekë vetëm për mbështetjen sociale në buxhet. Nuk është e vërtetë që taksat janë rritur. Ky vit ka qenë i vështirë. Fill pas tërmetit u përballëm me pandeminë, katastrofë humane që shkundi financat publike, por ne i qëndruam pranë të gjithë qytetarëve që ngelën pa punë për shkak të pandemisë. Nga pandemia dolëm më të fortë. Ekonomia është e qëndrueshme, dhe këtë e tregon përballimi i dy krizave të një pas njëshme. Sigurisht që e ardhmja nuk është fushë me lule. Sigurisht nuk kemi sferë të artë, nuk mund të  parashikojmë me përpikëri se çfarë do të ndodhë në ekonominë tonë”, tha Ibrahimaj në Kuvend.

Ministrja tha se Shqipëria ka inflacionin më të ulët në të gjithë rajonin.

“Ne e kemi vetëm 6.8% krahasuar me vendet e tjera që e kanë inflacionin dyshifror. Ne nuk kemi ndryshuar çmimin e energjisë elektrike për asnjë grup të popullatës. Tani, si ka mundësi që nuk ka kaq shumë inflacion këtu? Sepse nuk është rritur kostoja e prodhimit, sepse këtë barrë e ka mbajtur buxheti i shtetit. Prodhimi bujqësor vendas është rritur. Ne kemi pasur disa vite më parë një raport import-eksport 1 me 7, sot është 1 me 3. Rreziku për të qenë i varfër në vend sot është 21.8%, dhe kjo tregon një tjetër të pavërtetë që opozita thotë. Dhe kjo shifër vijon të ulet nga viti në vit. Ne përmes këtij buxheti do të garantojmë rritje ekonomike që do të vijë me investime të rëndësishme. Projektligji do të vijojë mbështetjen për energjinë elektrike me 12 mln lekë, bashkë me 80 mln eurot e Bashkimit Evropian. Rritja e pagave do të jetë një tjetër premtim që do të mbahet. Do të rritet paga minimale me 36 mijë lekë”, tha Ibrahimaj.

12:05 –Tabaku: Shtresa e mesme është kthyer në gomarin që mban peshën e taksave

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka pasur kritika lidhur me buxhetin për vitin 2023. Ajo theksoi se shtresa e mesme është ajo që po mban barrën e dhe peshën e taksave. Tabaku nga Foltorja e Kuvendit i bëri thirrje mazhorancës që të mos votojnë një buxhet të mangët.

Tabaku: Shtresa e mesme është kthyer në gomarin që mban peshën e taksave. Kjo është pamja më e saktë që ka Shqipëria sot, përtej politikës. Atje ku ka jetë ka dhe shpresë. Por a e ofron ky buxhet shpresën? Ftesa ime e parë është ta ndërtojmë Evropën këtu dhe mos e lëmë Shqipërinë të degradojë në një vend ku nuk ekziston ligji, institucionet. Do doja që të rinjtë ta shohin këtu shpresën, te opozita dhe të kalojmë përfundimisht këtë tranzicion. Ka ardhur koha që të rikthejmë ata që janë larguar. Sot është primare që të rikthejmë shpresën te politika si instrument. Nuk mund të kemi një ligj për të fortin dhe një për të dobëtin, nuk duhet të kemi një buxhet për të varfrin dhe një për të pasurin. Para se ta votoni këtë buxhet që nuk jep asnjë zgjidhje uluni dhe bëjini llogaritë me shqiptarët. Mos i hapni rrugën një buxheti të mangët. Ka ardhur koha të jemi më të mençur.

11:40 – Tabaku i përgjigjet Ramës: Sa herë shthuret gjuha mbrohet një aferë!

Deputetja demokratë, Jorida Tabaku i është përgjigjur retorikës së ashpër kundrejt opozitës të përdorur nga kryeministri Rama.

Ky i fundit i quajti bedelë dhe të pa fe e të pa Atdhe.

Tabaku  tha se Rama e përdor këtë fjalor kur ndodhet në hall dhe kur mbron aferat korruptive.

Debatet e ashpra në Kuvend mes opozitës dhe mazhorancës filluan pas miratimit me 62 vota pro dhe 19 kundër të procedurës së përshpejtuar për projektligjin e Portit të Durrësit.

Teksa opozita kërkoi transparencë, kryeministri Rama theksoi se ky është një investim që do ta kthejë Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme në Mesdhe.

Tabaku: Sa herë shthuret gjuha. Sa herë përdoret ky fjalor, dihet se po mbrohet një aferë. Sa herë rritet krimi, droga. Ju kujtohet droga me avionë? Kjo gjuhë tregon nivelin e politikë-bërjes se kësaj qeverie dhe këtij kryeministri. Tregon edhe këtë mënyrën e vjetër të politikës që ka kapur për fyti që ka kapur parlamentin, politikën. Llumin ku është politika shqiptare. Nuk e kam lexuar dokumentin e portit të Durrësit, se po luftojmë për transparencë, ky sulm nuk mund të justifikohet me asgjë. E njëjta gjuhë u përdor edhe për inceneratorin e  Elbasanit, një ish deputet i PS është rikthyer në qeli sot. Kjo gjuhë shpjegohet vetëm pas asaj që po ndodh pas dyerve të SPAK-ut.
11:23 – Alibeaj përplaset me Ramën: Të sanksionohet gjuha e përdorur. Kryeministri: Dëgjo këtu zotrote! Je kryebedeli i një tufe bedelësh

Kryeministri Rama është përplasur sërish me deputetin demokrat Enkelejd Alibeaj. Teksa ky i fundit kërkoi sanksionim për fjalët e kryeministrit, kreu i qeverisë përsëriti sërish se janë të pa fe dhe bedelë.

Alibeaj: Kryeministri që po ikën duhet të dëgjojë diçka. Ulu, ulu. Bedelë, budallenj, i pa fe, dele, të shitur. vetëm një njeri që mund të ngrihet në pikë të mëngjesit dhe ka një hall vjen në Parlament dhe përdor këtë gjuhë. Ai do të donte t’ia kthenim me të njëjtën gjuhë. Unë i kërkova vetëm një gjë të thjeshtë, nxirr letrat. Ky fjalor ndryn gjithë këtë Parlament. Këto fjalë janë të tilla që meritojnë një sanksionim nga kryetarja e Kuvendit. Ju duhet të shpreheni tani.

Rama: Dëgjo këtu zotrote. Nuk ka asgjë më të rëndë se sa t’i ngresh dhe t’i ulësh njerëzit hajdutë, të korruptuar, vjedhës etj. Këto janë më të rënda se sa e vërteta që ju jeni këlyshë të rrahur që të vegjël kur keni hyrë te dera e Shupit. Ju bëni si llazore edhe ky është një fakt. Ju jeni të pa fe, pa din, pa iman dhe keni lënë prova. I provoni përditë. Ju nuk dini të ndani opinionet, qëndrimet, pozicionet duke ruajtur njerzillëkun. Jeni të gatshëm të nxirrni nga goja gjithë të zezat.  Ti je një krye bedel i një tufe bedelësh që nuk kanë din, iman dhe Atdhe.

11:20 – “Jeni si miza në të ndenjurat e kalit”, plas sherri në Kuvend, Rama-Salianjit: Bedel pasionant

Miratimi për përshpejtimin e procedurës për projektbuxhetim për Portin e Durrësit ndezi gjakrat në seancën plenare që po zhvillohet sot në Kuvendin e Shqipërisë.

Rama i është përgjigjur refuzimit të opozitës për të votuar procesin e përshpejtimit me akuza dhe ofendime.

“Bedel pasionat”, kështu  iu drejtua Rama, deputetit demokrat Rama Ervin Salianji.

“Je një bedel pasionant. Jeni si miza në të ndenjurat e kalit, mos ngatërro jashtë daljet e organizmit. Ju bedela nuk keni atdhe, fe, nuk keni imam, nuk keni flamur, nuk keni dinjitet asgjë. Jeni bartës të mallkimit të këtij vendi që prej 1912. Po shani një nga kompanitë më të mëdha të botës, që po vjen për të investuar në Shqipëri. Jeni bisht I një krijese që mbart mallkim”, tha Rama në Kuvend.

11:11 – “Do vazhdojmë t’iu mundim”, Rama-opozitës: Deri në vitin 2029 s’do t’iu lëmë shteg të vini në vendin tonë

Kryeministri i vendit Edi Rama është shprehur i sigurt për fitoren e zgjedhjeve lokale të viti 2023 dhe jo vetëm. Duke iu drejtuar opozitës në Kuvend, Rama theksoi se nuk “do t’i lënë të fitojnë deri në vitin 2029” dhe gjatë qeverisjes do të vijojnë t’i dalin në mbështetje biznesit të vogël.

Rama: Ne do vazhdojmë t’iu mundim juve sepse nuk mund ta lëmë biznesin e vogël në dorën tuaj. Nuk iu lëmë asnjë arsye dhe asnjë shteg që deri në vitin 2029 të vini në vendin tonë. Ndërkohë që ne jemi këtu në këtë vend duke vazhduar të mbështesim biznesin e vogël, jo vetëm duke mos i vendosur taksa dhe duke mos i rritur TVSH-në, por duke i paguar faturën e energjisë elektrike.

Bazuar në këshillimin kombëtar ku morën pjesë mbi 500 mijë shqiptarë kemi vendosur të rrisim shumë fort penalitete për biznesin e madh. ne ndryshe nga çfarë na pikturoni ju jemi në anën e biznesit të vogël dhe të njerëzve të zakonshëm. Ne jemi ata që vazhdojmë të konfiskojmë metrat e babëzisë të atyre që i quajmë oligarkë. Do t’i rrisim penalitetet për biznesin e madh për t’i thënë rri në vendin tënd

10:53 – “Bedelë të një partie të shitur për rubla”, Rama shpërthen në ofendime ndaj opozitës: Ju kanë rrahur që këlysh, bisht i non-gratës

Diskutimet për buxhetin  2023 përplasën në Kuvend kryeministrin Edi Rama  me opozitën.

Teksa foli për krizën energjitike, inflacionin dhe pasojat e luftës, Rama tha se qeveria po bën çmos që mos të rrisë faturat e energjisë elektrike për familjet shqiptare, duke thënë se deri në 80% e faturave paguhen nga qeveria.

Kjo gjë u kundërshtua nga deputetët e opozitës. Për rrjedhojë Rama shpërtheu në ofendime ndaj tyre, duke i cilësuar bishta të non gratës, duke nënkuptuar Sali Berishën.

Fragment nga fjalimi Ramës:

Fatura e energjisë që shkon në çdo derë që ndizen dritat dhe dora e inflacionit, janë pjellat e kësaj lufte. Ne jemi këtu sot për të konfirmuar një vazhdimësi të rëndësishme të një përpjekjeje që ka bërë deri më sot që asnjë familje mos paguajë asnjë qindarkë më shumë.
Jemi në fillimet e një krize energjetikë. Ju kanë rrahur si këlysh që kur keni qenë të vegjël. Jeni një bisht i asaj krijesës non grata. Nuk e keni më në krye e keni por e keni në kokë brenda. Në këtë buxhet janë 50 miliardë, gjysmë miliardë dollarë që shkojnë për të mbrojtur njerëzit nga goditjet e kësaj lufte. Jeni turp i prindërve tuaj, në atë faturë deri në 80% të çmimit e paguan buxheti i shtetit. Jeni bedelë të një partie të shitur për rubla. Është fakt.

10:42 – “Do dilni kastravecë nga kjo histori”, debate në Kuvend për Portin e Durrësit, Rama-Sulës: Pusho! Gjel det Peqini

Miratimi i procedurës së përshpejtuar me 62 vota pro dhe 19 kundër për projektligjin e Porti të Durrësit është shoqëruar me debate të ashpra në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës.

Kreu i qeverisë  e quajti opozitën të shitur dhe shtoi se buxheti është i gjithi i lidhur me luftën që për opozitën nuk ekziston.

Rama: Një pjesë e madhe e juaja është bedel që nuk kuptoni se çfarë bëni dhe vazhdoni i bini vendit tuaj sa iu ha dora dhe sa iu mban ajo gojë që e keni komplet të shkëputur nga truri. Ne jemi këtu për të përballuar goditjen që është edhe arsyeja e asaj lufte. Putini nuk po e bën këtë luftë për të marrë ca copa nga Ukraina, por për të gjunjëzuar Perëndimin, bashkësinë euroatlantike dhe për të ndryshuar ekuilibrat e kësaj bote. Ju i bëni hije kot kësaj toke. Ju do të dilni siç hytë, kastravec. Kështu do dilni ju, siç hytë. Problemi këtu nuk jeni ju se jeni bedelë. Sulmoni si llaxore të marra, të mbetura rrugëve nëpër lagje që kanë humbur shtëpinë se kanë pirë gjithë natën. Këta jeni ju, megjithatë ajo që ka rëndësi është që shqiptarët ta kuptojnë.

Duke iu drejtuar me tone të ashpra opozitës, kryeministri i quajti të pa fe dhe pa Atdhe. Ndërsa deputeti demokrat Dashnor Sula i bërtiste nga vendi “turp të kesh”, Rama e quajti “gjel deti Peqini.”

Ju jeni ca të mbaruar, ca të pafytyrë. Ju nuk keni as fe, pa Atdhe, jeni pa din e pa iman, ja këta jeni ju.  Akuzoni për aferë një prej investitorëve më të mëdhenj! Ju jeni paguar me para ruse për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj. Jeni ca bedelë, që s’keni as sy për të parë e vesh për të dëgjuar.”

10:33 – Rama me tone të ashpra opozitës: Jeni të pafytyrë! Porti i Durrësit investim që nuk ishte imagjinuar ndonjëherë

Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur opozitës, e cila kundërshtoi miratimin e procedurës të përshpejtuar për Portin e Durrësit, u shpreh se në Shqipëri po bëhet një investim që nuk është bërë dhe imagjinuar ndonjëherë, një investim që transformon Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme në Mesdhe.

Kërkesa për procedurë të përshpejtuar u miratua me 62 vota pro dhe 19 kundër.

Rama: Me ca kurajo çohesh këtu edhe hedh gjithë këtë baltë mbi një personalitet, të ekonomisë globale përfaqësues të një prej kompanive më të mëdha të botës që vjen në Shqipëri si një rezultat i një marrëdhënieje strategjike, prej së cilës po ndërtohen në Spitallë 2000 apartamente dhe bëhet një investim që nuk është bërë ndonjëherë dhe nuk është imagjinuar ndonjëherë, që e transformon Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme turistike në Mesdhe.  Këtu u fut thjesht me procedurë të përshpejtuar një projektligj. Ne nuk kemi kohë për të humbur. Kemi më shumë se 1 vit që e negociojmë këtë kontratë dhe shteti shqiptar merr pjesë me aksione. Ju jeni ca të mbaruar, ca të pafytyrë, jeni ca të pafe. Merrni nëpër gojë dhe akuzoni për Pazar dhe për aferë një personalitet dhe një kompani nga më të mëdhatë e botës. Jeni pa Atdhe, pa din e pa iman. Dy miliard investim që i bën ai që vjen, juve thoni kujt do t’ia jepni. Po ju nuk keni faj sepse jeni mësuar të merrni para cash edhe nga armiqtë ë këtij vendi për të rrëzuar qeverinë. E qeshura e madhe e marrëzisë.

10:25 – Kuvendi miraton procedurën e përshpejtuar për Portin e Durrësit, opozita e kundërshton, Alibeaj: Po vidhni fshehurazi

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot procedurën e përshpejtuar për Portin e Durrësit me 62 vota pro dhe 19 kundër.

Opozita ka kundërshtuar në mënyrë kategorike procedurën e përshpejtuar, duke thënë se kjo është një aferë financiare që do të kthehet në aferë korruptive.

Enkelejd Alibeaj ka kritikuar nga foltorja e Kuvendit sot, përshpejtimin e procedurës që mazhoranca kërkon për miratimin e projektbuxhetit për Portin e Durrësit.

Alibeaj kërkoi  që parlamenti mos të miratonte me procedurë të përshpejtuar miratimin e projektbuxhetit për Portin e Durrësit, pasi sipas tij ky projekt ka kosto marramendëse, e cila arrin në 1 miliardë e 100 milionë euro.

Një projektligj i tillë sipas Alibeajt kërkon kohë, ndërsa kërkon me insistim të transparencës së projektbuxhetit për portin e Durrësit.

“Ky ligj kushton 2 miliardë e 100 mln euro. 400 mln një nen dhe ju doni ta kaloni me procedurë të përshpejtuar, ta kaloni fshehurazi sot që diskutohet buxheti. Po prsini shiritin e një afere ekonomike e cila shumë shpejt mund të kyhehet në aferë korruptive.  Ka një vit që negiociohet për portin e Durrësit.

Sa është territori i Shqipërisë që po shisni? Po shisni 1 mln metra katrorë për 2 miliardë e 100 mln. Vendoseni parlamentin e Shqipërisë në kushtet për të parë çfarë pazari keni bërë, me kë e keni bërë, çfarë fiton shteti shqiptar“, tha Alibeaj

10:17 – “Mos i shkoni nga pas këngës së Saliut”, Balla-demokratëve: Ai është në borderonë e Kremlinit, nuk ka interes të krijohet Porti i Durrësit

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla nga Foltorja e Kuvendit deklaroi se projekti për Portin e Durrësit, do ta kthejë qytetin bregdetar në një prej atraksioneve turistike më të rëndësishme në Mesdhe. Ai i bëri thirrje demokratëve që të mos shkojnë pas “këngës” së Sali Berishës, pasi ky i fundit e kundërshton marrëveshjen sepse është në borderonë e Kremlinit.

Balla: Kuvendi i Shqipërisë çel një moment të rëndësishëm për Shqipërinë tonë të turizmit të qëndrueshëm. Shteti shqiptar ka sjellë këtu një kontratë shumë të besueshme që i jep mundësi Shqipërisë që nga një mungesë totale e porteve në Mesdhe, të kthehet në një nga pikat më të rëndësishme të këtij sektori që ne nuk kemi qenë në asnjë prej hartave. Porti i Durrësit shumë shpejt do kthehet në një prej porteve më të rëndësishme.

Durrësi do kthehet në një prej atraksioneve më të rëndësishme në Mesdhe. Prandaj të gjitha akuzat që keni hedhur deri tani duhet t’i tërhiqni të gjitha mbrapsht. Ju nuk duhet  t’i shkoni nga mbrapa këngës së Saliut ai e ka mendjen në vend tjetër, është në borderotë e Kremlinit. Kremlini nuk ka interes që në Shqipëri të krijohet një port që të konkurrojë porte të tjera ku Kremlini mund të ketë interesat e veta. Sali Berisha i kundërshton këto marrëveshje për interesat e veta.

/Abcnews.al/