Paketa e re e sanksioneve, ministrat e BE-së mblidhen sot në Bruksel

schedule08:19 - 18 Korrik, 2022

schedule 08:19 - 18 Korrik, 2022

Ministrat e jashtëm të BE-së pritet të takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar rreth sanksioneve kundër Rusisë, sipas një zyrtari të lartë të BE-së. Ndër masat që po shqyrtohen është ndalimi i blerjeve të arit nga Rusia, një masë e vendosur tashmë nga partnerët ndërkombëtarë, sipas The Guardian.

Një zyrtar i lartë i BE-së i tha Agence France-Presse se BE-ja ka të ngjarë të diskutojë sanksione të mëtejshme por nuk do të marrë një vendim të menjëhershëm. Masat e reja vijnë pasi lufta brutale e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon pa pushim, tha Ursula Von der Leyen.

“Prandaj, ne propozojmë të ashpërsojmë sanksionet e BE-së kundër Kremlinit, t’i zbatojmë në mënyrë më efektive dhe t’i zgjasim deri në janar 2023. Moska duhet të vazhdojë të paguajë një çmim të lartë për agresionin e saj,” theksoi ajo.

Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Europian për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, shtoi:

“Sanksionet e BE-së janë të ashpra dhe goditëse. Ne vazhdojmë të synojmë ata që janë afër Putinit dhe Kremlinit. Unë gjithashtu do të paraqes propozime në Këshill për sanksionimin e më shumë individëve dhe subjekteve.”

/abcnews.al