Në fokus të kësaj puntate të “As Pro as Kundër” në ABC ishte paketa anti-shpifje, që ndezi një debat të ashpër në vend.
Të ftuar në studio me Robert Aliajn ishin politikani Genc Pollo, deputeti dhe kryetari i grupit parlamentar demokrat Myslim Murrizi, gazetari dhe analisti Mentor Nazarko, Koloreto Cukali, avokati dhe aktivisti Dorian Matlija si dhe gazetari Adrian Thano.
Ajo që paneli i të ftuarve thanë në thelb ishte se ky ligj duhet të jetë sa më konsensual që të jetë e mundur, ndërsa u theksua se vendi ynë e ka një ligj që dënon shpifjen dhe se nuk ka nevojë për një të dytë që është i specifikuar tek mediat.
Matlija u shpreh se në Shqipëri mediat janë pjesërisht të lira, ndërsa shtoi se ata që mund të bien pre e shpifjes e kanë mundësinë që të mbrohen nga legjislacioni shqiptar.
“Mediat janë pjesërisht të lira, këtë e thonë organizata ndërkombëtare. Ata që bien pre e sulmeve të pa baza e kanë mundësinë e mbrojtjes nga legjislacioni shqiptar, kjo po bëhet vetëm për të ndërhyrë tek liria e medias.”
Kurse, deputeti Myslim Murrizi tregoi se çfarë ndodh me fatin e atyre qeverive që mundohen të “vënë dorë tek mediat”
“Në kodin penal, shpifja është vepër penale, për këdo që mendon se është shpifur ndaj tij. Ky ligj ekstra për mediam… Në 30 vite post-komunizëm, cilido pushtet që ka qenë dëlir, dhe ka guxuar të vërë dorë tek media, ka ik si shpata pa bisht. S’kemi pse bëjmë dy ligje.”
Kurse, Pollo vuri në dukje se sfidat që krijojnë realitetet e reja, siç mund të jetë mjedisi virtual, nuk mund të legjitimojnë qeverinë shqiptare që t’u mbyllë gojën mediave tradicionale dhe atyre jotradicionale.
Mentor Nazarko nga ana tjetër u tha se ligji nuk ka pse të ketë në fokus vetëm shpifjen, por se ekzistojnë edhe probleme të tjera si gjuha e urrejtjes.
Avokati, Spartak Ngjela, në një lidhje direkte tha se ligji për mediat elektronike është një paçavure.
“Ligji për mediat elektronike është paçavure, kush e zgjedh AMA-n? Mazhoranca. Kush e zgjedh nënkryetarin? Opozita. Krerët janë të korruptuar, pse i merrni seriozisht këto budalliqe. AMA duhet zgjedhur nga populli. Paratë ua mbledhin shqiptarëve, drejtuesit i zgjedh politika…Kjo është komedi. Nuk ka ardhur shteti serioz akoma, ky është shteti që krijoi Saliu, kështu do të vazhdojë deri në fund.” s.b/abcnews.al/