Paketa Anti- KÇK, qeveria dërgon në Kuvend 5 ligje të reja: Policia përgjon pa asnjë leje

schedule16:15 - 12 Shkurt, 2020

schedule 16:15 - 12 Shkurt, 2020

Qeveria do të ndryshojë ligjin për Policinë e Shtetit, Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale, ligjin Anti-mafia dhe ligjin me menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara.

Ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit, lejon që çdo drejtor vendor policie të përgjojë të dyshuarit e tij deri në 6 muaj, pa qenë nevoja të marrë leje nga prokurori apo gjykatësi.

Me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave penale të autorëve të tyre, Policia e Shtetit përdor këto masa të veçanta:

a) Përgjimin ambiental të bisedave të personave në ambiente publike, si dhe në mjete të transportit publik;

b) Përdorimin e pajisjeve teknike për fotografimin, filmimin ose me video të personave në vende publike dhe përdorimin e pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes;

c) Përgjimin e bisedave telefonike ose telekomunikimeve, që rregullohet me ligj të veçantë;

2. Përdorimi i masave të veçanta, bëhet me vendim të miratuar nga titullarët e strukturave të policisë, në nivel drejtorie qendrore e vendore. Ndryshimet në ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, krijohet një agjenci e posaçme për këtë çështje, që nuk varet më nga Ministri i Financave, por nga ai i Punëve të Brendshme.

Qeveria ka sjellë në Kuvend dhe ndryshime për Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale për ata që mund t’i mbajnë pasuritë e tyre të paligjshme.

“Posedimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, përdorimi, mbajtja apo ruajtja e tyre, në mënyrë të pajustifikuar, për të cilat është vendosur konfiskimi, kur kryhet me dashje dhe nuk përbën vepër tjetër penale dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.”

Këto projektligje do të kalojnë javët e ardhshme në Komisionet parlamentare të ekonomisë, sigurisë dhe ligjeve, deri në votimin në parlament. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!