Laçi dhe Skënderbeu luajtën një miqësore mes tyre ditën e djeshme, takim që u fitua 2-1 nga ekipi korçar. Rrjetat e Mensah dhe Rrapajt përmbysën golin bardhezi të brazilianit Teco.
Trajneri i ekipit kurbinas, Armando Cungu foli pas sfidës së luajtur në “Tropikal Resort”, duke shprehur pakënaqësi për lojën që zhvilluan djemtë e tij. “Nuk jam i kënaqur me ndeshjen. Rezultati nuk ka rëndësi, por ne i bëmë dy dhurata Skënderbeut në golat që shënoi.
Shpërdoruam shumë raste, shumë lojtarë titullarë nuk ishin, por ekipi nuk më kënaqi. Lojtarët e ardhur duhet të djersijnë për të fituar dhe merituar vendin në formacion, nuk duhet ta harrojnë këtë gjë. Njësoj edhe për lojtarët e tjerë. Pres më shumë nga prurjet e fundit të merkatos.
Ata që kanë ardhur kanë pasur emër ku kanë qenë, presim më shumë se sa janë duke dhënë. Shpresojmë që të kapin gjendjen sa më të mirë, pasi kampionati mund të rifillojë shpejt e nuk ka kohë.
Bojkoti? Nuk ka ndikuar pozitivisht tek ekipet që luajtën në Evropë. Ne ishim në formë, të karikuar dhe në ritmin e duhur. Shtyrja ka ndihmuar ekipet e tjera, jo ne që ishim në Kupat e Evropës”, deklaron Cungu. /abcnews.al