“Pak njerëz e dinë”, Bregu: COVID-19 shkaktoi frikë, nuk u ndërpre eksporti i pajisjeve mjekësore

schedule22:07 - 7 Korrik, 2020

schedule 22:07 - 7 Korrik, 2020

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal Majlinda Bregu mbrëmjen e sotme në “Provokacija” u shpreh se pandemia shkaktoi një situatë të vështirë.

Bregu theksoi se fillimet e pandemisë shkaktuan një lloj frustrimi dhe frikë te qytetarët. Sidomos në momentit kur BE deklaroi se nuk do të lejohej eksporti i pajisjeve mjekësore dhe mallrave nga jashtë.

Gjithashtu tregoi se për të menaxhuar këtë situatë në një kohë të shkurtër u krijua mundësia e një korridori jeshil për të mos lejuar bllokimin e tyre, nëpërmjet të cilat pati arritje të mira.

 “Frika më e madhe që qytetarët filluan të ndjenin përveç virusit ishte nëse do kishim apo jo maska. Nëse spitalet do të përballonim apo jo fluksin, kishim apo jo resperastorë, nisur edhe nga lajmet që transmetoheshin nga Italia.

Në rajonin tonë u kthye gati në një frustracion të menjëhershëm sepse BE nga Brukseli deklaroi që në fillim se nuk do lejohej eksporti i pajisjeve mjekësore dhe mallrave për vende jashtë BE.

Kjo gjë shkaktoi alarm, por krijuam mundësinë në një kohë farë të shkurtër të një korridori jeshil që në asnjë moment të mos kishte bllokim. Përfituan të gjitha vendet. Pika më e nxehtë ishte kufiri me Kosovës dhe Shqipërisë, por jo vetëm.  Kjo është  një nga gjërat që pak njerëz e dinë. Pra asnjëherë nuk u ndërpre kjo lëvizje e mallrave”, tha Bregu.

Bregu u shpreh se në Shqipëri largimi i të rinjve vijon të jetë një trend në rritje.

“Trendi është që truri po largohet. Dëshira është ngulmuese nga viti në vit. Në asnjë vit nuk shohim se ka një ulje as të largimit të “trurit” dhe as të dëshirës për të ikur.

Problemi kryesor është se kush do të punojë, kush do ta bëjë ndryshimin, kush do t’i popullojë vendet tona. Është një problem shumë i madh në Ballkan.

Kam një lloj paragjykimi për konceptin e të riut dhe të resë. Politika nuk ka nevojë vetëm për vizion të ri, është pjekuria apo dëshira për të bërë ndryshim.

Ashtu si çdo profesion ose je për politike ose nuk je për politikë”, tha më tej Bregu.