Paguante 25-vjeçarin si drejtor shkolle kur ishte në Londër, nën hetim drejtoresha e arsimit në Peshkopi

schedule12:11 - 11 Shtator, 2020

schedule 12:11 - 11 Shtator, 2020

Pas denoncimit në emisionin “Stop” të Drejtoreshës së Zyrës Arsimore të Peshkopisë se kjo e fundit kishte shpërdoruar detyrën, policia ka njoftuar se ka vënë nën hetim Brikena Danin ndërsa ka proceduar një 25 vjeçar me iniciale A.D.

Dyshohet se drejtuesja e komanduar e kësaj Drejtorie Arsimore, ka abuzuar me detyrën duke bërë emërime, dhe duke paguar drejtues shkolle 25 vjeçarin A.D., ndërkohë që ai ndodhej në Londër dhe jo duke ushtruar detyrën.

Sipas policisë A. D. është larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë në vitin 2019 dhe ka përfituar paga në mënyrë të padrejtë.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Dibër kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasit:

A. D., 25 vjeç, banues në Selishtë, Dibër, ish-drejtor në shkollën 9-vjeçare Selishtë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

B. D., 39 vjeçe, banuese në Peshkopi, Dibër, me detyrë drejtore në Zyrën Vendore Arsimore Peshkopi, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

Procedimi penal ndaj shtetasve të lartpërmendur ka filluar pasi nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasja B. D. ka paguar shtetasin A. D., gjatë periudhës që ai nuk ka qenë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Sipas verifikimeve të kryera shtetasi A. D. është larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë në vitin 2019 dhe ka përfituar paga në mënyrë të padrejtë.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.

N.D./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!