Paguanin deri në 5 mijë euro/ Gazetari zbardh skemën: Si ra Policia në gjurmët e grupit që jepte kontrata fiktive për klandestinët

schedule17:47 - 12 Prill, 2024

schedule 17:47 - 12 Prill, 2024

TIRANË- Policia e Shtetit, në bashkëpunim me SPAK dhe me agjencitë të huaja kanë goditur një grup të strukturuar kriminal, i cili funksiononte në trafikun e klandestinëve.

Gjithsej janë identifikuar 26 persona, mes tyre policë, biznesmenë, të cilët krijuan lehtësira për emigrantët nga Bangladeshi duke i pajisur me kontrata pune fiktive kundrejt përfitimit monetar,

Gazetari i ABC News, Ervin Leka, i ftuar në “News Line”,  zbardhi skemën e veprimtarisë së këtyre personave dhe mënyrën se si ra Policia në gjurmët e tyre.

Ai theksoi se qëllimi i emigrantëve nga Bangladeshi ishte kalimi drejt vendeve të Bashkimit Evropian, duke përdorur transit Shqipërinë, Kosovën dhe më pas nga Serbia të hynin në tokën evropiane.

“Ka një vit që ka nisur ky operacion, duke u drejtuar nga Prokuroria e Posaçme dhe Policia. Gjatë 2023, por edhe gjatë 2024,  policia ka kapur shumë persona nga Bangladeshi, që ishin pajisur me këto viza pune. Këtu janë identifikuar 26 persona, ku 11 prej tyre ishin biznesmenë që operonin në fushën e fasonerisë. Duke bërë dhe falsifikime dhe manovara të tilla për t’u pajisur me vizat e punës fiktive, të cilët i shfrytëzonin dhe për të punuar dhe për të dalë pastaj drejt Bashkimit Evropian. Janë katër efektivë të policisë të përfshirë”, tha ai.

Ai shtoi se emigrantët paguanin një shumë prej 5 mijë euro për të siguruar kontratat pune fiktive./ abcnews.al