Deputeti demokrat Xhelal Mziu ka replikuar me Nard Ndokën i cili e akuzoi se ka paguar para për t’u futur në listat e kandidatëve për deputetë të demokratëve. Mziu shkruan në rrjetet sociale se Nard Ndoka është mësuar të shesë dhe të blejë partinë, duke shkruar sa nga e majta tek e djathta.
“Tregtari i partive, Nard filozof Ndoka, paska lëshuar sot një nga ato bëmat e tij filozofike duke më akuzuar mua për një gjë që e ka bërë vet prej 30 vitesh. Nardi, është mësuar të shesë e të blejë partinë dhe tani që është katandisur me 200 vota në Shkodër (unë në Dibër realizova fitoren e 9, nga 9 beteja si drejtues politik), ka filluar të lëshojë diarenë e tij shpifëse në media e rrjete sociale.
Nardi, në gjithë karrierën e tij politike, nuk ka bërë asgjë veçse të bëjë pazar me veten e tij, partinë dhe normalisht kjo është e vetmja mënyrë që njeh të bëjë politikë. Shit parti, blej ministri, blej parti e shit dinjitetin e tij. Duke u shitur e duke u blerë, herë shkonte te majta e herë tek e djathta.
Tani që ka mbetur thjeshtë një gaztor në “birucën e matrapazit”, e ka lëshuar vetën saqë gafat e tij i beson si shprehje filozofike. Në fakt me gaztorin e së keqes nuk vlen as të harxhosh rreshta në Facebook, e keqja është e shkuara në këtë vend. Me filozof Nardin, do të përballem në gjykatë duke e paditur për shpifje”, shkruan Mziu.
Çfarë tha Nard Ndoka në Fax Tv paraditen e sotme?
“Çështje karakteri. Është koha për t’i njohur njerëzit. Janë njerëz jo politikanë, që janë rastësisht aty. Ka kohë për reagim. Janë përballë një presioni shumë të madh. Sot është thjesht një kufomë politike, nuik ka mbështetje në bazë. Janë të gjithë në krah të Berishës. Po e ndjejnë deputetet e PD-së këtë presion të bazës. Një nga ata që nëpërmjet pagesës kanë marrë kandidimin nga z.Basha është dhe Mziu. PD do cclirohet nga ky mekanizëm. Pra PD do pastrohet nga ky proces që nuk ishte me meritë por si një lloj tenderimi”, tha Ndoka. m.v/Abcnews.al