Paga mesatare 900 euro/ Ekspertja: Vlerësimi i punonjësve të bëhet në bazë të performancës

schedule14:31 - 20 Nëntor, 2023

schedule 14:31 - 20 Nëntor, 2023

Pavarësisht kaosit të shkaktuar, këtë të hënë në Kuvend u miratua projektbuxheti dhe paketa fiskale. Projektbuxheti i vitit 2024 është 7 miliardë euro ndërsa të ardhurat planifikohen në 6.5 miliardë euro, dhe deficiti 600 milionë euro. Ndërsa paketa fiskale prek 4 ligje atë të taksave kombëtare, të akcizës, TVSH-së dhe procedurat tatimore.

Miratimin e këtij projektbuxheti në një mënyrë të pazakontë, e ka komentuar në “Money Report”, ekspertja për ekonominë, Eriola Hoxha, e cila u shpreh: “Jo vetëm për projektbuxhetin që është akti më i rëndësishëm, por dënoj çdo akt dhune që shfaqet në një institucion që lidhet drejtpërdrejt me qytetarët. Duhet të tregojnë qytetari dhe maturi ndaj këtij akti të lartë”.

Sa i përket, projektbuxhetit që ka si kryefjalë rritjen e pagave, ajo u shpreh se reforma e pagave duhet të ndryshojë dhe punonjësit të vlerësohen në bazë të performancës.

Sipas ekspertes, duhet të eliminojmë pagesat ‘cash’ dhe rritja e pagës mesatare në 900 euro do të ndikojë dhe te personat që tentojnë të largohen drejt vendeve të Europës.

“Buxheti i këtij viti sigurisht që në krahasim me vitin 2023 ka prioritete të ndryshme dhe më vjen mirë që ka një ndryshim. Kryefjala e pagave u trumpetua si një premtim elektoral për të shkuar paga mesatare në 900 euro. Mirëpo, ishte buxheti i këtij viti që arriti të merrej një vendim i tillë. Megjithatë si një qytetare e thjeshtë, mendoj që këto paga duhet të vendosen dhe në bazë të performancës, në mënyrë që të mos kemi informalitete.

Minimumi që duhet të bëjmë është të eliminojmë pagesat ‘cash’ të çdo punonjësi. Rritja e pagës na bën më të konkurueshëm në rajon, pasi ne kemi qene ne vend të fundit të rajon në bazë të statistikave. Një gjë e rëndësishme është se punëtorët nuk do të largohen në vendet e Europës, pasi paga këtu nga prilli i 2024 do të jetë 900 euro”, tha ndër të tjera Hoxha./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!