TIRANË- Aftësitë paguese të administratës publike janë rritur ndjeshëm. Kjo është ndikuar nga rritja ekonomike e vendit, e cila ka vijuar vitet e fundit me ritme të kënaqshme.
Paga mesatare në shtet arriti në 96 985 lekë, ndërsa në privat u ul në 69 534 lekë. Dukshëm, reforma e pagave në shtet nuk po e shtyn biznesin te reagojë ne këtë drejtim.
Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, e ftuar në “Money Report” thotë se ky hendek në nivelin e pagave vjen për shkak të procesit ekonomik dhe tipologjisë së vendimmarrjes.
Në sektorin publik shtoi ajo vendimmarrja është politike, kurse sektori privat, para se të rrisë pagat, këtë hap duhet ta bazojë tek mundësitë reale të saj. Ajo pohoi se shteti e ka këtë luks, që vendimet me karakter ekonomik t’i çojë përpara, ndryshe nga privati, që resurset i ka të kufizuara.
“Diferenca është në procesi i vendimmarrjes. Në rast se në sektorin publik vendimi është politik, në sektorin privat, kjo nuk mund të bëhet. Në sektorin publik i drejtohesh buxhetit të shtetit. Ky luks nuk është në sektorin privat pasi ai nuk mund t’u drejtohet bankave për të rritur pagat, sepse më pas kjo do jetë një barrë dhe një kosto shumë e lartë shpenzimi. Sektori duhet të mat produktivitetin dhe nga ana tjetër do duhet të shohë mundësinë financiare se sa ia mundëson buxheti për të rritur pagat, sepse nuk flitet për një ose dy, por për të gjithë punonjësit që janë në kompani”, tha ajo.
Gjatë diskutimit në emision, Nunaj u shpreh se një problem tjetër është se kompanitë nuk i vlerësojnë burimet njerëzore si asete, por i shohin më tepër si kosto. Ky mentalitet u shpreh ajo ka ndikuar në krizën e punonjësve në sektorët respektivë.
“Në rastin e Shqipërisë, biznesi i trajton si kosto, nëse burimet njerëzore do t’i shikonte si asete automatikisht nuk do konsiderohen shpenzim, por një investim. Biznesi I shikon gjërat në mënyrë të kufizuar”, tha ajo.
Ajo theksoi se sektori privat nuk po bën sa duhet në vlerësimin e kuadrove në aspektin financiar, qoftë dhe të atyre që kanë kualifikime të larta.
“Kriza e burimeve njerëzore vjen edhe si pasojë e mosvlerësimit të tyre. Biznesi privat nuk e vlerëson kualifikimin dhe produktivitetin dhe kjo nuk reflektohet në rritje të pagave”, tha ajo./abcnews.al