Në tryezën e diskutimit të programit Real Story, avokati Edmond Petraj tha se kërkesa e gjyqtarëve për rritje rroge është e drejtë.
Më tej, Petraj theksoi se kërkesa është relatuar saktë dhe se shifra e përfolur nuk është 3 mijë euro, por 750–800 euro. Avokati gjithashtu vlerësoi se ekziston një diskriminim mes gjyqtarëve të GJKKO-së dhe atyre të gjykatave të tjera, ndërkohë që rreziku në ushtrimin e profesionit është i njëjtë.
“Objekti i kërkesës është shfuqizimi i ligjit 33/23 për një ndryshim në statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në këtë ligj ata nuk janë në revansh, sepse referohen te ligji që vetë e kanë bërë. Rritja e rrogës nuk është në ato shifra që kam dëgjuar. Për ndërhyrje në këtë proces ka ndërhyrë edhe një shoqatë tjetër.
Rrogat janë nga 1.6 milionë deri në 1.7 milionë, ndërsa një këshilltar në Kuvend merrte 2 milionë lekë.
Për diskriminim kemi gjyqtarë të GJKKO-së, që kanë më shumë risk, por duket se ka një përkëdheli. Rreziku është i barabartë dhe probabiliteti që të ndodhë një risk, siç ndodh edhe në Apel, është i njëjtë. Marrëdhënia që lexova për kërkesat që kishte bërë Këshilli i Ministrave mu dukën elemente që nuk e mundin anën ligjore. Për mendimin tim, gjyqtarësit kanë të drejtë dhe nuk ka qenë ajo shifër që kërkojnë. Kërkesën e kanë relatuar shumë mirë, për mendimin tim është legjitime dhe ia vlen të diskutohet. Nuk kërkojnë shtesë 3 mijë euro secili, nuk shkonte më shumë se 750–800 euro.” / abcnews.al /


