Padia kundër Ballës, Shkëlzen Berisha: Profesioni i tij është shpifës

schedule16:40 - 14 Nëntor, 2018

schedule 16:40 - 14 Nëntor, 2018

Në Gjykatën e Tiranës u zhvillua sot seanca e radhës e padisë për “shpifje” të Shkëlzen Berishës kundër deputetit socialist Taulant Balla. Berisha kërkon deklarimin fajtor të Ballës me pretendimin se ka shpifur në emër të tij kur drejtonte Komisionin Hetimor Parlamentar për privatizimin e OSSH.

Në shoqërinë e avokatit, Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, mbërriti të mërkurën në Gjykatën e Tiranës për t’u përballur me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Në këtë gjykim Berisha është në rolin e paditësit, ku pretendon se Balla ka shpifur për të nga foltorja e drejtuesit të Komisionit Hetimor Parlamentar të çështjes CEZ.

Në sallën e gjyqit Berisha kishte përballë vetëm avokatin e deputetit. Përmes tij, Balla njoftoi gjykatën për pamundësi të pjesëmarrjes në seancë, për shkak të angazhimeve në Kuvend. Paditësi Berisha konfirmoi gjenenralitetet para gjykatës, por pretendimet u parashtruan nga avokati i tij. Sipas avokatit Ivi Kaso, deputeti Balla ka shpërndarë thënie të pavërteta kur ka pohuar se klienti i tij Shkëlzen Berisha për vitet 2009-2013 nuk ka paguar tatim mbi fitimin, duke bërë evazion fiskal. “Deklaratat janë bërë me qëllim diskretitimin e figurës së klientit të mbrojtur prej meje. Akuzuesi nuk është dhe nuk ka qenë për asnjë moment debitor ndaj organeve tatimore”, tha avokati Kaso, duke kërkuar deklarimin fajtor të Ballës për akuzën e “shpifjes së kryer botërisht.

Për t’i dhënë kohë avokatit të Ballës të njihej me parashtrimet dhe provat e paraqitura prej tyre dhe për t’u konsultuar me deputetin gjykata shtyu seancën për në 27 nëntor. Ndonëse kurseu komentet në sallën e gjyqit, paditësi Berisha nuk bëri të njëjtën gjë jashtë gjykatës.

Shkëlzen Berisha: “Proceset për zotin Balla për shpifje janë të shumta sepse profesioni kryesor i zotit Balla është shpifës. Nuk ishte i pranishëm ,shpreoj mos të ketë qenë duke nxjerrë ndonjë përdhunues nga komisariatet. Shpresoj mo të ketë qenë në ndonjë udhëtim me trafikatë që e ka mik shtëpie. Shpresoj që gjykata të provojë dhe njëherë shpifjen e radhës, kësaj here penalisht për zotin Balla.”

Padia e Berishës kundër Ballës u regjistrua fillimisht në Gjykatën e Lartë, por pas një ping-pongu mes saj dhe Krimeve të Rënda për çështjen e kompetencës dosja kaloi për gjykim në gjykatën e kryeqytetit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!