Shefja e Spitalit Infektiv, profesoresha Najada Çomo në një lidhje me skype për gazetaren Jonida Shehu në “ABC Radar” foli për situatën shëndetësore të pacientit i cili u vetëhodh nga kati i tretë i këtij spitali.
Nga Infektivi, Çomo tha se gjendja shëndetësore e 69-vjeçarit nga Bolena e qytetit të Fierit, paraqitet kritike jo vetëm për shkak të Covid-19, por tashmë edhe për shkak të pasojave pas ngjarjes së sotme.
“Sigurisht është ngjarje tragjike ajo që ka ndodhur me një pacient të shtruar në 24 orët e fundit. Ai ndodhet aktualisht në terapi intensive pranë spitalit Infektiv. Akti është kryer nga në një situatë të rënduar psikologjike.
69-vjeçari është në situatë problematike qoftë nga sëmundja bazë por edhe nga pasojat që u shkaktuan nga vetëhedhja. Puna jonë ka edhe këto lloj problematikash, por që gjithsesi puna jonë do të vazhdojë ndërkohë që do të kërkoja edhe nga mediat të na mbështesin në punën tonë, të kemi suportin moral që nevojitet si në rastin e pacientëve dhe në rastin e personelit mjekësor”, deklaroi Çomo.
Më tej gjatë bisedës, Çomo foli edhe për pasojat që koronavirusi shkakton tek pacientët e prekur.
Sipas saj, çdo pacient i infektuar nga Covid, është i rrezikuar të preket nga çrregullimet psikologjike, kjo situatë rëndohet edhe nga fakti se kur hyn në spital, i sëmuri, përballet me frikën por edhe me mungesën e kontaktit fizik me familjarët gjatë kohës së shtrimit, edhe pse kontakti përmes telefonatave me ta, nuk mungon.
“Për të qenë korrekt me ju, gjithmonë mbetet frika për pasojat që sëmundja lë në sistemin nervor. Padiskutim mund të themi që çdo pacient që është i prekur nga Covid është i rrezikuar nga çrregullimet psikologjike. Pranë infektivit kemi psikologë të atashuar, në krahun tim çdo ditë është në krahun tim psikologu, është pjesë e punës në spitalin Infektiv. Pacientët kur hyjnë në Infektiv, kanë frikën e sëmundjes, kanë problematika të tjera siç mund të jetë kontakti i pamundur me familjarët, gjë e cila rëndon psikologjikisht pacientin, edhe pse ne mbajmë kontakte të vazhdueshme me familjarët e çdo pacienti”, sqaroi doktoresha.
Për situatën e rënduar nga pandemia në vend, e cila ka reflektuar rritje të rasteve me Covid, dhe rritje në numrin e shtrimeve në spitale, Çomo u shpreh se edhe pse gjendemi në një situatë të tillë, kapacitetet e Infektivit ende nuk janë ezauruar.
Çomo sqaroi edhe situatën e përpara disa ditëve, kur media raportoi për disa ambulanca me pacientë, që prisnin në radhë pranë spitalit Infektiv.
Ajo tha se shkak për këtë ishte situata në Infektiv, pasi ajo është dinamike, ka pacientë që shërohen dhe dalin nga spitali, ndërkohë që vendin e tyre e zë një pacient tjetër.
Ambulanca theksoi shefja e Infektivit, nuk është vetëm një mjet transporti, por edhe një mjet i gatshëm për të dhënë ndihmën mjekësore.
“Ne jemi në situatë që është shtuar numri i të infektuarve dhe numri i shtrimeve, gjë e cila ecën në dinamikë sepse disa pacientë dalin dhe disa shtrohen. Në një moment të caktuar ambulanca mund të pres, por ambulanca nuk është vetëm një mjet transporti, ajo është e pajisur në mënyrë të tillë, që ti japë pacientit ndihmën e nevojshme.
Aktualisht ka shtretër të lirë në Spitalin Infektiv, ndërsa të sëmurët në dhoma janë të shtruar në dhoma me dy, ose me tre pacientë në çdo dhomë.
Ka njerëz që nuk kanë sëmundje kronike por fataliteti ndodh kur ky virus prek pjesën më të madhe të pulmonit, por edhe për shkaqe të komplikacioneve të tjera.
Çdo rasti i kushtohet vëmendja maksimale, analiza për humbjet e moshave të reja është më e madhe, por që për të gjithë pacientët kushtohet vëmendja e duhur. Mbi 90 % të personave të sëmurë me Covid, kurohen në kushte ambulatore dhe 3 ose 4 % të tyre, kanë nevojë për trajtim spitalor për shkak të komplikacioneve”, tha ndër të tjera Najada Como.
n.d./abcnews.al