Pacientëve në “Spitalin Amerikan 3”, u ofrohet edhe ndihmë psikologjike

schedule20:26 - 1 Prill, 2022

schedule 20:26 - 1 Prill, 2022

Pacientët e shtruar në spital shpesh kanë nevojë edhe për mbështetje psikologjike. Kjo bën që në ambientet spitalore të jetë e nevojshme edhe asistenca psikologjike.

Në spitalin Amerikan 3, psikologia Sabina Tahsimi është çdo ditë pranë pacientëve duke i ofruar pacientëve mbështetje emocionale profesionale. Hemodializa është një prej pavijoneve që ajo jep më së shumti ndihmën e saj.

“Bazuar nga përvoja e vendeve të tjera, edhe në Shqipëri psikologu është pjesë e strukturës spitalore. Nga viti në vit është duke u ngritur si shërbim. Kryesisht është pjesë e njësisë së Hemodializës, pra pjesa më e madhe e punës fokusohet tek pacientët me dializë, duke i shoqëruar ata dhe të afërmit e tyre në këtë rrugëtim. Psikologu ndihmon pacientët duke i ofruar një hapësirë të sigurt, kofidenciale, të fshehtë, që të ndajnë problemet e tyre, dhe i ndihmon që ta pranojnë sa më mirë situatën në të cilën ndodhen. Gjithashtu psikologu është i ndërthurur edhe me departamentet e tjera, dhe sa herë është e nevojshme ndihmon në departamente të ndryshme të spitalit si kardiologjia, gjinekologjia, pediatria etj. Një grup i caktuar që vjen dhe kërkon ndihmë në spital, janë personat e jashtëm të cilët kanë nevojë për të bërë një konsultë, ose kanë zhvilluar një çrregullim dhe kërkojnë ndihmë psikologjike. Një pjesë e këtyre personave janë ata që bëjnë check-up në spital ku konsulta e psikologut është falas. “

Ajo thotë se periudha e Covid ka rritur kërkesën e qytetarëve për ndihmën e psikologut.

“Është ngritur edhe shërbimi online i cili, sidomos gjatë periudhës së pandemisë i ka ardhur shumë në ndihmë njerëzve sepse ishte dhe një mënyrë që të mos infektoheshin. Kemi parë një shtim të rasteve të personave që janë paraqitur në spital, sidomos pas periudhës së Covid. Duket sikur kjo periudhë ka thyer disa tabu që ishin vendosur prej kohësh. Të paktën ai paragjykimi që kur shkon te psikologu je i çmendur. Duket sikur këto tabu po bien edhe për personin, edhe për familjarët, edhe për vetë stafin.”

Përfshirja e një psikologu në spital, si profesionist kyç në ofrimin e shërbimeve të shëndetit mendor, përbën një revolucion për sa i përket gjykimit dhe trajtimit të të sëmurit, si dhe perceptimit të sëmundjes. Ekspertiza e ofruar nga këta profesionistë bën të mundur një pranim dhe drejtim më të mirë të sëmundjes. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!