Danimarka ka pezulluar përdorimin e vaksinës Oxford-AstraZeneca për dy javë për shkak se disa një pacientët që e injektuan kanë raportuar mpiksje gjaku. Ministri danez i Shëndetësisë, Magnus Heunicke, tha se, autoritetet kanë nisur hetimin, pasi ishin duke parë shenja të një efekti anësor të serioz, mpiksjen vdekjeprurëse të gjakut. Megjithatë ai bëri të qartë se, është një masë paraprake, duke qenë se ende nuk kanë dalë në përfundimin se mpiksja lidhej me vaksinën, raporton CNN, informon abcnews.al
Autoriteti Danez i Shëndetësisë gjithashtu konfirmoi pezullimin në një deklaratë. “Tani jemi në mesin e hapit më të madh dhe më të rëndësishëm të vaksinimit. Na duhen vaksina, dhe pezullimi i një prej tyre nuk është një vendim i lehtë. Por, pikërisht pse po vaksinojmë kaq shumë qytetarë na duhet të përgjigjemi me kujdes dhe në kohë, kur shohim efekte anësore serioze”, tha Soren Brostrom, drejtor i Bordit Kombëtar të Shëndetësisë, në deklaratë.
“Është e rëndësishme të theksojmë që nuk kemi hequr dorë nga vaksina AstraZeneca, por që e kemi pezulluar për momentin. Ka prova të mira se vaksina është e sigurt dhe efektive. Por ne duhet të reagojmë kur ka raportime për efekte anësore, ashtu siç kanë bërë dhe vendet e tjera europiane. Kjo tregon se sistemi i monitorimit funksionon”, tha më tej ai.
Agjencia Daneze e Barnave tha se po punonte me Agjencinë Europiane të Barnave (EMA) dhe autoritetet e tjera farmaceutike të BE për të hetuar disa raportime të mpiksjes së gjakut, informon abcnews.al.
Më parë këtë javë, Austria pezulloi përdorimin e një grupi specifik të vaksinës AstraZeneca, seria ABV5300, pasi një person u diagnostikua me trombozë të shumëfishtë, sipas EMA.
Që nga e marta, Estonia, Lituania, Luksemburgu dhe Letonia kanë pezulluar gjithashtu përdorimin e grupit ABV5300.
EMA tha të mërkurën se, aktualisht nuk kishte asnjë indikacion që vaksinimi ka shkaktuar këto kushte, të cilat nuk renditen si efekte anësore me këtë vaksinë.
“Seria ABV5300 u dërgua në 17 vende të BE dhe përfshin 1 milion doza të vaksinës. Disa vende të BE gjithashtu e kanë pezulluar këtë grup si një masë paraprake, ndërsa një hetim i plotë po vazhdon”, tha EMA në një deklaratë./e.b-abcnews.al