Paaftësia e politikës shqiptare, 36 kërkesa në Venecia

schedule19:02 - 6 Nëntor, 2021

schedule 19:02 - 6 Nëntor, 2021

Nga Esiona Konomi

Ky votim  në Kuvendin e Shqipërisë, do t’i dërgojë çështjet tona të brendshme për herë të 37-të për gjykim pranë Komisionit të Venecias.

Që nga viti 1995, kur kemi marrë për herë  të parë një opinion nga ky organizëm ndërkombëtar, vendi ynë është treguar i pa kursyer për të kërkuar mendim prej tij, dhe deri më tani, ka angazhuar Komisionin me 36 opinione.

Vetëm nga viti 2015, që kur nisëm reformën në Drejtësi ju kemi kërkuar 11 opinione, dhe ky i fundit do të përbëjë të 12-in.

Shqipëria ka pyetur: Reformën në drejtësi, vettingun në gjyqësor, vettingun e politikanëve, paketën anti-shpifje, shkarkimet e Presidentit, vlefshmërinë e zgjedhjeve lokale pa pjesëmarrjen e opozitës, e sërish për zgjatjen e afateve të vettingut.

Me këto shifra, vendi ynë hyn ndër shtetet i cili i drejtohet më shpesh Komisionit të Venecias, dhe kjo ndodh sa herë politika nuk ka konsensus, dhe do ta pasojë pataten e nxehtë në duart e një organizmi ndërkombëtar të gjithë pranuar.

Italia për shembull në gjithë historinë e saj i është drejtuar Komisionit të Venecias, vetëm 3 herë, dy herë për cështje të lirisë së medias e një herë për referendumet e qytetarëve.

Anglia po ashtu ka kërkuar vetëm 3 opinione, dhe Zvicra vetëm një.

Gjithsesi, vendet e Ballkanit me demokraci më të brishta dhe me polarizim më të lartë politik, e kanë përdorur më shumë mekanizmin e Venecias, edhe pse, jo aq sa Shqipëria.

Kroacia ka kërkuar 14 opinione, Maqedonia 28 dhe Serbia 33.

Komisioni i Venecias u ngrit në vitin 1990, pas rënies së Murit të Berlinit, si një nevojë urgjente për ekspertizë ligjore e Kushtetuese. Ai është pjesë e Këshillit të Evropës dhe asiston vendet anëtare të organizatës, ku bën pjesë edhe Shqipëria. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!