Pa marrëveshje Mediu dhe Idrizi, Shehi-Ndoka për “ABC”: E mbyllëm me Bashën

schedule16:37 - 14 Janar, 2021

schedule 16:37 - 14 Janar, 2021

Nga Juxhin Mustafaraj

Lulzim Basha arrin marrëveshje edhe me dy aleatët e tij, Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka. Kreu i PD, Basha vendos t’i jap vende të sigurta aleatëve të tij në Tiranë dhe Shkodër.

Marrëveshja e Bashës me Shehin dhe Ndokës, pas paktit me kreun e PAA, Agron Duka. Vazhdojnë negociatat mes grupit negociator në PD me kreun e PR, Fatmir Mediu dhe kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi.

Njësoj si marrëveshja e dakordësuar me kreun e Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, grupi negociator i PD i ka premtuar Shehit dhe Ndokës përfshirjen e kandidatëve nga këto forca politike në listat e Partisë Demokratike, ndonëse jo në zona të sigurta.

“Pa diskutim që ne kemi kandidatë potencialë në Lezhë, Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier, Vlorë, Gjirokastër dhe Kukës. Unë do të kandidoj në SHkodër, ku kam kandiduar në të gjithë historinë time politike” tha Ndoka.

Për Dashamir Shehin, me vendimin për të përfshirë aleatët në lista, Lulzim Basha po zbaton paktin e vitit 2019 kur ata vendosën të digjnin në bllok mandatet.

“Këtë punë e kemi të mbyllur, unë do të jem në Tiranë, këtu ka negociata për gjëra teknike, sa do të vendosim nëpër rrethe te ajo lista e poshtme. Menduam që kemi nevojë për një marrëveshje që të sigurohen mandatet edhe vazhdimësia, edhe kontributi i këtyre forcave politike. Kjo lloj marrëveshje për 5 kryetarët është bërë këtu e një vit e gjysëm, dy vite përpara” tha ai.

Negociatat më të vështira për demokratët po rezultojnë ato me aleatin historik, Partinë Republikane. Kreu i PR kërkon më shumë se mandatin e tij në qarkun e Tiranës, duke dhënë si tregues force votat e republikanëve në proceset e mëparshme zgjedhore.

Në negociata jo të lehta, Lulzim Basha do të jetë edhe me kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi i cili krahas emrit të tij në listat e sigurta të demokratëve kërkon përfaqësim edhe me të paktën dy përfaqësues të PDIU në qarqet Tiranë dhe Fier./ db/Abcnews.al