Osmani: Vayrynen kishte oferta edhe nga Serie A, javën tjetër kompletohemi

schedule13:16 - 21 Janar, 2021

schedule 13:16 - 21 Janar, 2021

Ditën e sotme në stadiumin “Selman Stermasi” u prezantua Tim Vayrynen, sulmuesi më i ri i Tiranës. Prezent ishte edhe drejtori teknik i bardhebluve, Tefik Osmani. Korçari foli për ardhjen e finlandezit dhe la të kuptohej se merkato e kampionëve është mbyllur me këtë afrim.

“Është fat nganjëherë që e nis punën si drejtor me dy lojtarë shumë të mirë si Taulant Seferi dhe Tim (Vayrynen). Në gjithë historinë e Tiranës, siç janë tifozët dhe siç e kërkon vetë klubi duhet të futesh gjithmonë për të fituar dhe për ta bërë këtë duhet të sulmosh.

Tirana nuk dorëzohet asnjëherë, do e vazhdojë luftën deri në fund. E kam falënderuar presidentin Halili, ai po bën një sakrificë shumë të madhe, e kam thënë edhe në një studio televizive, po të ishte një klub tjetër mbase do ndryshonte objektiv.

Kemi bërë një pagesë, që hapëm merkaton, kemi bërë edhe dy afrime me kosto të lartë. Është gjë e mirë, që jo vetëm Muçi, por edhe lojtarë të tjerë kanë oferta. Do shikojmë nëse vjen ofrta e duhur, sepse presidenti nuk kënaqet me oferta që dalin në gazeta.

Kur ai të kënaqet do largohet, por në këto momente nuk mendoj se do lëvizë njeri. Tirana gjithmonë ka marrë më të mirët e kampionatit. Në janar është e vështirë të marrësh lojtarë brenda kampionatit sepse janë në kontrata.

Megjithatë jemi njësoj, kemi marrë dy nga lojtarët më të mirë në merkato, që kanë pasur edhe oferta të tjera dhe i falënderoj që zgjodhën Tiranën. Tim nuk ka qenë vetëm te lista e Shkëndijes, ka pasur edhe interesa nga Serie A dhe B, prandaj e falënderoj që ka zgjedhur klubin më të mirë në Shqipëri, Tiranën.

Shumë sulmues? Sa më shumë lojtarë të mirë të jenë, për ne si drejtues është mirë, problem e ka trajneri. Presim brenda javës tjetër edhe rikthimin e Vangjelit dhe mendoj se do jemi të kompletuar sepse siç dihet edhe Çelhaka dhe Cale janë rikthyer me grupin”, përfundoi Osmani. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!