Tefik Osmani ka një eksperiencë të madhe në futbollin shqiptar. Titullin e parë kampion e fitoi me Tiranën në vitin 2009, verën e kaluar u rikthye sërish në kryeqytet dhe është në rrugën e duhur për t’u shpallur sërish kampion si bardheblu.
Mbrojtësi korçar ka luajtur edhe me Partizanin e Skënderbeun, klube për të cilat flet në emisionin “Fan Zone” në Supersport, teksa ndalet edhe tek e ardhmja dhe presidenti më dorëlëshuar.
KAMPIONATI – “Ne jemi në vend të parë dhe na interesohen edhe nëse mbyllet kampionati. Futbolli nuk është aq i rrezikshëm, pasi kemi parë njerëz që dalin jashtë. Hapen fasoneri dhe nuk lejohet futbolli. Unë mendoj se nuk ka kaq rrezik për ne futbollistët. Ne jemi sportistë dhe nuk dimë të bëjmë presion, mendoj se shumë shpejt do të merret një vendim që do të nisë kampionati. Unë kam besim që në fillim të qershorit do të luajmë në fushë”.
TIRANA APO PARTIZANI? – “Unë përshtatem me çdo lloj ekipi dhe kam pasur bashkëpunim të mirë në të dy klubet, por te Partizani nuk kishte kaq shumë presion në punë. Ishte një ambient më i qetë atëherë”.
E ARDHMJA – “Një ditë do ta lë edhe unë futbollin, por nuk e kam vendosur akoma. Jam afër presidentit Refik Halili dhe do të pranoja çdo lloj oferte prej tij, për çdo lloj pozicioni pranë këtij klubi”.
SKËNDERBEU – “Sigurisht që po, do të rikthehesha nëse më bëjnë ofertë, pasi unë kam kaluar një kohë shumë të bukur aty. E thashë edhe në fillim, unë kam kaluar shumë mirë në të gjithë klubet dhe asnjëherë nuk kam tradhtuar, por jam larguar kur kam parë që nuk jam më pjesë e planeve të tyre”.
LARGIMI NGA KORÇA – “E kam sqaruar këtë çështje, pasi bëhej fjalë për një moment të vështirë për klubin atëherë, për shkak të dënimit nga UEFA. Unë i kërkova presidentit Takaj që të paguajë 4-6 muaj paga, që lojtarët të qëndrojnë aty dhe të mos largohen gjatë merkatos, ndërsa më pas ndodhi ajo që ndodhi”.
PRESIDENTËT – “Mua të gjithë presidentët më kanë dhënë mjaftueshëm në fakt, por presidenti Halili më ka dhënë edhe dy apartamente”. /abcneës.al