Osmani: Shumica të shfrytëzohet për reformat

schedule18:57 - 23 Tetor, 2018

schedule 18:57 - 23 Tetor, 2018

Zëvendës kryeministri, Bujar Osmani, ka deklaruar se votimi i ndryshimeve kushtetuese nuk ishte vetëm një çështje e brendshme e Maqedonisë, por një proces me rëndësi gjeopolitike ndërkombëtare. Në një intervistë për “Klan Maqedonia”, Osmani ka theksuar se shumica e formuar me 8 votat plus duhet të vijojë me votimin e reformave.

Fillimi i procedurës për ndryshimet kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë nuk ishte një moment vendor apo rajonal, por ka një peshë të gjerë gjeopolitike, thotë zv/kryeministri Bujar Osmani në një intervistë për Klan Maqedoni.

Bujar Osmani: “E premtja e përcaktoi kufijtë e NATO-s, kufijtë e familjes perëndimore euro-atlantike dhe dimensionet e së premtes ne nuk mund t’i vlerësojmë tani, se është shumë herët. Do t’i vlerësojmë pas 10 vjetësh, kur të jetë garantuar siguria dhe zhvillimi ekonomik i rajonit dhe Maqedonisë”.

Zv/kryeministri Osmani ka hedhur poshtë të gjitha zërat se deputetët e opozitës të cilët votuan pro ndryshimeve kushtetuese kanë qenë të shantazhuar e të kërcënuar. Ai thotë se ata kanë qenë viktimë e një politike të gabuar partiake.

Bujar Osmani: “Fakti që ata u bënë viktimë e një politike të gabuar të 27 prillit i ka bërë të mendojnë nëse duhet të jenë ende pjesë e viktimizimit për një kauzë të gabuar”.

Nuk është koha për zgjedhje, thotë Zv/Kryeministri Osmani duke theksuar se shumica e krijuar prej dy të tretave duhet të shfrytëzohet edhe për zbatimin e reformave mjaft të rëndësishme për vendin.

Bujar Osmani: “Kjo shumicë prej 80 deputetësh na hap dyert për dicka tjetër, për të kaluar reformat që kërkojnë dy të tretat në gjyqësor, shërbimet e inteligjencës dhe administratën publike. Nëse e shfrytëzojmë këtë shumicë besoj se kemi bërë punën më të mirë për këtë shtet dhe qytetarët e saj. Pasi të fillojnë bisedimet dhe të hyjmë në NATO do të shohim interesat partiake dhe kush duhet të udhëheqë vendin”.

Zv/Kryeministri Osmani në cilësinë e shefit të delegacionit qeveritar për bisedime me BE-në shprehet në fund se tani është koha të mbahet përgjegjësia dhe të mbyllen çështjet që do të garantojnë të ardhmen e brezave që vijnë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!