Osmani: Nuk e kërcënova Dakën, isha kundër mënyrës së udhëheqjes së mbledhjes

schedule22:49 - 5 Shkurt, 2021

schedule 22:49 - 5 Shkurt, 2021

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, është shprehur mbrëmjen e së premtes se deklarata e saj në lidhje me KQZ-në ishte detyrë e një presidenti dhe se kjo nuk ka të bëjë me çështjet partiake.

Osmani tha se nuk bëhet fjalë për një kërcënim, ndërsa shtoi se ka kryer një detyrë themelore.

“Atë ditë mënyra se si ka rrjedhur ngjarja dhe mbledhja e KQZ-së është parë si politizim i skajshëm i vendimeve. Ta dëgjojnë në detaje këtë mbledhje, përfshirë edhe pjesët ku i thoshin ‘lexoje si ta kemi shkruar’ dhe të tjera. Të vijnë në përfundim edhe qytetarët. Kjo s’ka të bëjë me Vetëvendosjen, por me qasjen që kërkohet nga një institucion që të bëjë detyrën parësore për mbrojtjen e pavarësisë së tij”, tha Osmani.

Presidentja në detyrë u shpreh po ashtu se interpretimet rreth deklaratës së saj kanë qenë më shumë politike sesa juridike.

“S’ka pas të bëjë reagimi im me votën e Dakës, sepse ajo ka të drejtë të votojë çfarë të dojë, por për mënyrën se si e ka udhëhequr atë mbledhje. Shpresoj që më gjëra të tilla të mos ndodhin dhe që secili anëtar i KQZ-së të jetë i ndershëm dhe i paanshëm”, tha Osmani për Klan Kosova.

Osmani shtoi po ashtu se deklarata e Quntit ishte kërkesë nga KQZ-ja për paanshmëri. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!