Osmani: Mohuesit e gjenocidit nuk mund të shndërrohen në faktor të paqes

schedule13:24 - 11 Korrik, 2023

schedule 13:24 - 11 Korrik, 2023

Mohuesit e gjenocidit nuk mund të shndërrohen asnjëherë në faktor të paqes, ka thënë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, derisa ka përkujtuar mbi tetë mijë njerëz të pafajshëm që u vranë nga forcat serbe në Srebrenicë.

Osmani ka thënë se i njëjti regjim që avokonte për gjenocidin atëherë, i sulmon Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën edhe sot.

“Një regjim, që edhe sot e mohon gjenocidin në Srebrenicë e kudo në Bosnjë e Hercegovinë, sikurse e mohon edhe gjenocidin në Kosovë. Po i njëjti regjim që avokonte për gjenocidin atëherë e që i sulmon Kosovën e Bosnje-Hercegovinën edhe sot. Mohuesit e gjenocidit nuk mund të shndërrohen asnjëherë në faktorë të paqes. Kujtim i përhershëm për të gjitha viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Në korrik të vitit 1995 ushtria e serbëve në Bosnje, në krye me Ratko Mlladiq, kanë vrarë mbi 8 mijë burra e djem.

Udhëheqësit shtetëror në Serbi, si dhe ata të Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë vazhdojnë të mos e pranojnë se ka ndodhur gjenocid, edhe pse gjykata për krime të luftës në ish-Jugosllavi këto vrasje i ka cilësuar si gjenocid./KosovaPress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!