BRUKSEL- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë konferencës së përbashkët me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg tha se sukseset e vendit të saj janë suksese edhe të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Sipas saj, sot Kosova ka demokracinë më të ndritshme në rajon dhe kjo arritje i atribuohet padyshim aleancës.
“Jam këtu si dëshmi e orientimit strategjik të Kosovës. Jemi shumë mirënjohës për lidershipin e NATO-s në këtë kohë goxha të rëndë. Më lër të shpreh mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin e NATO-s për të shpëtuar jetët tona dhe rolin gjatë ditëve të sotme. E vlerësojmë rolin e NATO-s në zhvillimin e Kosovës. Sukseset e Kosovës janë suksese të NATO-s dhe për këtë jemi krenarë që kemi demokracinë më të gjallë në rajon. Duhet të jemi krenar për këto arritje. Saktësisht për shkak se Kosova është sukses historik i NATO-s, ka forca keqdashëse që duan ta sfidojnë dhe ta rrënojnë atë. Nuk duhet ta lejojmë këtë. Kosova dhe rajoni nuk duhet të sfidohen për shkak të keqdashjes ruse. Veriu i Kosovës ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e Republikës. Nuk do të lejojmë që veriu të jetë fushëbetejë për arritjet hegjemoniste të autokratëve rajonalë. Ne jemi për integrimin e veriut. I kam dënuar sulmet e 29 majit ndaj ushtarëve të KFOR-it që janë organizuar nga krimi serb. Mendimet tona janë me ushtarët e lënduar”, tha ajo.
Më tej Osmani u shpreh se, “Kosova është një histori suksesi e NATO-s. Ne jemi të gatshëm të integrojmë edhe rajonet e tjera, duke iu dhënë hapësira socio-ekonomike”, ndërsa garantoi Stoltenberg se “Do punojmë shumë fort në mënyrë që të mbajmë të forta marrëdhëniet me KFOR. Ne kemi nevojë për NATO-n si një garantues i paqes dhe i mbrojtjes së demokracisë, jemi të gatshëm për të bërë punën tonë”, shtoi Osmani.
E para e Kosovës, nënvizoi se objektivi madhor i vendit të saj është t’i bashkohet sa më parë aleancës duke shtuar se NATO është garantori kryesor i paqes dhe demokracisë.
“Objektivi strategjik i Kosovës është t’i bashkohet NATO-s. Kosova nuk do shmanget nga rrugëtimi euroatlantik në asnjë rrethanë. Ky është zotimi që i kemi dhënë gjeneratave të reja. Do të ofrojmë modalitetet më të mira për të avancuar partneritetin tonë dhe qëllimin tonë për anëtarësim në NATO. NATO-ja dhe Kosova janë përherë të lidhura mes vete. Na duhet NATO-ja si garantuese e paqes dhe demokracisë”, theksoi Osmani./ n.m.abcnews.al