Osmani: Lidhja e Prizrenit ka shërbyer si model i përhershëm për frymëzimin e brezave

schedule12:58 - 10 Qershor, 2023

schedule 12:58 - 10 Qershor, 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në manifestimi qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deklaroi se kjo lidhje ishte thirrje për zgjim e bashkim kombëtar në kohën kur po rrezikohej ekzistenca e kombit.

“Ajo shprehu qartë jo vetëm përcaktimin e shqiptarëve për shtet të pavarur, si instrument të rëndësishëm politik për realizimin e aspiratave të tyre, por edhe orientimin e tyre drejt familjes e vlerave më të larta qytetëruese perëndimore”, tha Osmani.

Presidentja u shpreh se Lidhja Shqiptare e Prizrenit tregoi vetëdije të lartë politike shtetërore dhe u shndërrua në platformë të fuqishme nacionale.

Ajo tha se Lidhja e Prizrenit ka shërbyer si model i përhershëm, nga e cila janë frymëzuar breza të tërë intelektualësh, dijetarësh, shkrimtarësh e politikanësh dhe nga e cila kanë buruar projekte të tjera përbashkuese të tipit nacional kulturor, sikurse ai i viteve të 90-ta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Sot, mbushen 145 vjet që kur më 10 qershor të vitit 1878 ka filluar organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15. Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtar shqiptar./KosovaPress

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!