Osmani: Fjalën përfundimtare për një marrëveshje me Serbinë e thotë Kuvendi

schedule16:27 - 9 Mars, 2023

schedule 16:27 - 9 Mars, 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti në një takim në Prishtinë këtë të enjte, të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Përmes një njoftimi nga Presidenca, bëhet me dije se Osmani ka diskutuar me Lajçak për dialogun mes dy vendeve.

Osmani i ka thënë Lajçak se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje me Serbinë duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese.

“Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçák. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar se Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për një proces, i cili i kontribuon paqes afatgjate, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon. Presidentja Osmani potencoi se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht, paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës.

Tutje, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova mbetet palë konstruktive në procesin e dialogut dhe e koordinuar me partnerët e saj, ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese. Presidentja Osmani gjithashtu ka mirëpritur vendimin e sotëm të Këshillit të Bashkimit Evropian ku në mënyrë unanime është miratuar e drejta e qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar në shtetet e zonës Schengen pa vizë”, thuhet në njoftim.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!