OSHEE: Ulëm humbjet në minimum, gushti regjistron nivelin rekord nën 17%, Tirana dhe Durrësi bashkë, te 15%

schedule12:59 - 29 Shtator, 2022

schedule 12:59 - 29 Shtator, 2022

Performanca e rrjetit të shpërndarjes si pasojë e investimeve të kryera dhe organizimit në terren, paraqitet pozitive sipas OSHEE si në aspektin e furnizimit, ashtu dhe te niveli i humbjeve.

Sipas të dhënave të publikuara nga kompania, treguesit e nivelit të humbjeve si 8-mujor 2022, kanë zbritur afër 20%, kurse vetëm në muajin gusht regjistroi nivelin më të ulët historik, nën 17%. (Shiko tab.)

Ermal Murati, Drejtor i Departamentit të Matjes, Bilancit dhe Suportit të Tregut në OSSH, tregon se rezultatet e mësipërme janë arritur falë punës së përditshme, si në aspektin e transformit të rrjetit elektrik përmes investimeve, ashtu edhe kontrolleve të vazhdueshme ndaj abuzuesve të energjisë, rritjes së faturimit dhe organizimit të aktivitetit dhe stafit në terren.

Para nisjes së reformës, në 2013, niveli i humbjeve ishte 45%, madje ne disa muaj të caktuar arrinte deri ne 50%, ndërsa sot objektivat e OSSH, pjesë e OSHEE Group, janë për ulje të humbjeve nën 20% deri në fund të 2022-it.

Reduktimi i humbjeve, ka sjellë për pasojë dhe më shumë eficencë në shpenzime, faturim cilësor dhe drejtësi për abonentët korrektë që paguajnë faturën korente në raport me abuzuesit.

Murati nënvizon faktin se rajonet Tiranë dhe Durrës, të cilat kanë peshë 50% në konsumin total të energjisë elektrike, paraqesin një nivel humbjesh rreth 15%, standard suksesi ky që po ndiqet edhe nga rajonet e tjera, si rasti i Shkodrës, ku nga 60%, sot ka zbritur nën 28%, si kurrë më parë.