Pekini deklaroi se është i gatshëm të mirëpresë ekipin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të hetuar origjinën e koronavirusit.
Kina prej kohësh ka qenë kundër një hetimi ndërkombëtar për origjinën e virusit, por është e gatshme për një hetim të drejtuar nga OBSH-ja. Megjithatë, është ende e paqartë se cilët janë hetuesit e OBSH që do të udhëtojnë në qytetin e Wuhan, atje ku shpërtheu për herë të parë Covid-19.
“OBSH vijon të mbajë kontakte me Kinën dhe të diskutojë me ekipin ndërkombëtar dhe vendet që ata do të vizitojnë” , tha drejtori për emergjencat në Paqësorin Perëndimor, Babatunde Olowokure.
Pak ditë më parë, një diplomat bëri me dije se ekipi i OBSH-së do të udhëtojë drejt Kinës, në javën e parë të janarit dhe do të qëndrojë aty për 4 ose 5 javë.
Më shumë se 72.92 milion njerëz janë infektuar me koronavirus dhe janë regjistruar 1.641.733 viktima.
Rastet janë raportuar në më shumë se 210 vende të botës që kur u raportua rasti i parë në Kinë në dhjetor 2019./abcnews.al