Organizatorët e Eurovizion njoftuan heqjen e flamujve dhe simboleve palestineze nga konkursi

schedule18:50 - 2 Maj, 2024

schedule 18:50 - 2 Maj, 2024

Organizatorët e Eurovizionit të sivjetshëm, i cili do të mbahet javën e ardhshme në Suedi, njoftuan këtë të enjte se janë të përgatitur të heqin të gjithë flamujt dhe simbolet palestineze me konotacion politik gjatë garës popullore.

Njoftimi vjen mes tensioneve të shtuara për pjesëmarrjen e Izraelit në konkursin vjetor muzikor në Malmö, ku sipas njoftimeve pritet që protestat e mëdha të grupeve pro-palestineze të tërheqin vëmendjen për këtë çështje.

Michele Roverelli, kreu i komunikimit për Unionin Evropian të Transmetimeve (EBU), i cili menaxhon konkursin, tha se vizitorëve dhe pjesëmarrësve u lejohej vetëm të sillnin dhe të shfaqnin flamuj që përfaqësonin vendet pjesëmarrëse në ngjarje, si dhe flamurin e ylberit LGBTQ.

EBU rezervon të drejtën “të heqë çdo flamur ose simbol tjetër, veshje, objekte dhe banderola të përdorura për qëllime të instrumentalizimit politik të shfaqjes televizive“, tha ajo për Associated Press.

Agjencia suedeze e lajmeve TT raporton se kushdo që përpiqet të sjellë një flamur palestinez ose një tabelë me një mesazh politik do të ndalohet nga rojet në hyrje.

Aktivistët pro-palestinezë, të cilët duan që Izraeli të përjashtohet nga gara, kanë paralajmëruar tubime të mëdha në qendër të Malmos, disa kilometra larg vendit të konkursit në Malmo Arena.

Policia suedeze ka paralajmëruar se masat e sigurisë do të jenë të forta për shkak të kërcënimeve terroriste në vend./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!