Orët e fundit te negociotave, çfarë po diskuton Basha me Idrizin e Mediun

schedule15:43 - 19 Shkurt, 2021

schedule 15:43 - 19 Shkurt, 2021

Nga Juxhin Mustafaraj

Partia Demokratike dhe Lulzim Basha janë futur në javët e fundit të negociatave përpara se të dalin në vendimarrje. Për të mos përsëritur rezultatet dhe pakënaqësitë e 2017, Lulzim Basha prej dy muajsh vazhdon të negociojë me aleatët e tij jo vetëm për pjesëmarrjen në koalicion por edhe për pozicionet e tyre në lista.

Këtë të premte, Lulzim Basha qëndroi për më shumë se 60 minuta në zyrën e tij me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Burime për ABC konfirmojnë se në zyrën e Bashës janë paraqitur emrat potencial të ofruar nga Shpëtim Idrizi për përfaqësim në listën e përbashkët të koalicionit.

Pak ditë më parë Idrizi deklaroi për ABC se pretendimet e forcës së tij politike janë vetëm në 5 qarqe, ndërkohë që në të gjithë vendin PDIU do të jetë në mbështetje të Partisë Demokratike. Por negociatat e Bashës me Idrizin do të vazhdojnë edhe në fundjavë.

Në zyrën e kreut të demokratëve pasditen e të premtes do të jetë edhe kryerepublikani, Fatmir Mediu. Edhe me aleatin e tij historik, Lulzim Basha do të duhet të kalkulojë mirë peshën elektorale dhe kandidatët e ofruar nga republikanët.

Të henën Lulzim Basha ka pashikuar që të ulet në tryezë edhe me Vangjel Dulen për të përcaktuar qarkun ku do të kandidojë kreu i PBDNJ-së, ku mundësitë kryesore janë Korça dhe Vlora.

Të mërkurën e 24 shkurtit, Lulzim Basha do të duhet të dorëzojë në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, listën e koalicionit opozitar dhe emrin me të cilën koalicioni do të përfaqësohet. Të gjithë partitë që do të jenë në koalicion me PD janë regjistruar tashmë në KQZ, por emrat e kandidatëve të tyre do të jenë të përfshirë në listën e Partisë Demokratike dhe do të bëhen publike në 5 mars.

Lulzim Basha ka përmbyllur tashmë negociatat me Agron Dukën, Nard Ndokën dhe Dashamir Shehin të cilat rezultuan shumë më të thjeshta për shkak se tre partitë aleate të Bashës kërkuan të përfaqsohen vetëm me një mandate në listat  e PD. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!