Orët e fundit të ankthit në PD, Basha pritet të komunikojë vendimin: Dy skenarët pas orës 17:00

schedule15:29 - 21 Mars, 2022

schedule 15:29 - 21 Mars, 2022

Përveç Grupit Parlamentar, në mbledhjen e sotme të njoftuar nga kryedemokrati Lulzim Basha pritet të jenë edhe anëtarët e kryesisë si edhe krerët e Partisë Demokratike nëpër rrethe.

Basha e njoftoi mbledhjen për në orën 17:00 dhe pritet që dita e sotme të jetë ajo ku do të merret përfundimisht një vendim mbi të ardhmen e PD-së pasi një numër i madh deputetësh i kanë kërkuar atij dorëheqjen.

Fakti që ai ka mbledhur në një sallë tre struktura tregon se do t’u komunikojë atyre një vendim, për të cilin disa ditë më parë kërkoi kohë që ta marrte. Koha mbaron sot, prandaje dhe duket se këto janë orët e fundit para se të vendoset gjithçka mbi PD.

Për herë të fundit, këto tre struktura janë mbledhur në vitin 2019 kur u vendos djegia e mandateve, sipas gazetarit të ABC, Juxhin Mustafaraj. Madje, sipas tij, mbledhja e këtyre tre strukturave bashkë nuk u bë as edhe kur u vendos për largimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD.

Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i Bashës, nga i cili do të rrjedhin më pas ngjarjet e tjera brenda PD-së, por paraprakisht në lojë janë dy skenarë.

Skenari i parë është që Basha të japë dorëheqjen dhe partia të drejtohet nga një grup deputetësh nga ata që mbështesin atë dhe Berishën për ta çuar deri në zgjedhje.

Skenari i dytë është që Basha të mos pranojë të japë dorëheqjen sot, gjë që do të bëjë që deputetët brenda Grupit Parlamentar të fillojnë të mbledhin firmat me qëllim që t’i kërkojnë Kryetares së Parlamentit që ai të mos jetë më pjesë e grupit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!