Orët e fundit para helmimit, çfarë bënë tre familjarët nga Kosova , ABC në banesat rezidenciale

schedule11:27 - 10 Maj, 2021

schedule 11:27 - 10 Maj, 2021

ABC ka udhëtuar sot drejt banesës së tre familjarëve nga Kosova që ndërruan jetë si pasojë e helmimit pasi kishin konsumuar kërpudha. Është një zonë rezidenciale në Gjirin e Lalëzit, ku janë të vendosur kryesisht turistë, ku çifti i bashkëshortëve dhe nëna e tyre kishin ardhur për të qëndruar për disa ditë.

Ata banonin në katin e parë të një banesë dy katëshe ku vinin zakonisht fundjavave ose në stinën e verës. Gazetari Leonidha Musai pyeti disa nga banorët e zonës në lidhje me pjesëtarët e ndjerë të familjes Haliti. Sipas tyre ata kishin ardhur në shtëpinë e pushimit rreth tre ose katër ditë përpara se të ndodhte ngjarja e rëndë.

Të mërkurën e shkuar, tre pjesëtarët e familjes Haliti nga Kosova kanë dalë nga banesa e tyre dhe kanë shkuar rreth 200 metra më tutje në një pyll me pisha ku pasi kanë bërë një piknik janë ndalur për të mbledhur disa kërpudha. Më pas në orët e drekës dyshohet se ata i kanë gatuar kërpudhat në shtëpi dhe më pas i kanë konsumuar. Kjo gjë dyshohet se ka rezultuar fatale për ta.

Tre familjarët janë paraqitur fillimisht në qendrën shëndetësore të Manzës me simptoma të njëjta të dhimbjeve të barkut. Mjekët e kësaj qendre shëndetësore i thanë ABC se pas kontrollit mjekësor, tre pacientët janë përcjellë për në banesë pasi simptomat e tyre fillimisht nuk kanë qenë të rënda. Mjekët thonë se ata nuk kanë deklaruar se kanë ngrënë kërpudha në momentin e komunikimeve që kanë pasur me punonjësit e kësaj qendre shëndetësore.

Pasi gjendja e tyre është rënduar, tre pacientët janë dërguar me urgjencë në QSUT. Spitali bëri me dije dje me anë të një deklarate zyrtare se fillimisht në datë 6 Maj ka ndërruar jetë e moshuara, nëna e kryefamiljarit Afrim Haliti. Një ditë më pas ka ndërruar jetë edhe i biri dhe në ditën pasardhëse më 8 Maj është ndarë nga jeta e shoqja.

Familjarët e tyre ngrenë dyshime në lidhje me trajtimin që i është bërë në qendrën shëndetësore të Manzës. Djali i çiftit deklaroi dje për mediat se është absurde të dërgohen në shtëpi vetëm me ilaçe tre pacientë me simptoma të njëjta pa kryer asnjë analizë. Ai gjithashtu theksoi se është e dyshimtë pse ka ngordhur edhe qeni i familjes, kur ai nuk ka konsumuar kërpudha pasi ka ushqimet e tij të veçanta./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!