Orë tensioni në Ukrainë, vriten dy ushtarë në frontin lindor, 4 të plagosur

schedule18:45 - 19 Shkurt, 2022

schedule 18:45 - 19 Shkurt, 2022

Ushtria e Ukrainës bëri të ditur sot pasdite se një ushtar i dytë ishte vrarë në frontin lindor. Më herët ushtria kishte thënë se granatimet kishin vrarë një ushtar në pjesën e kontrolluar nga qeveria të rajonit Donjeck dhe forcat separatiste po vendosnin artileri në zonat e banuara për të provokuar një përgjigje.

Katër ushtarë u plagosën dhe u dërguan në spital, sipas nje deklarate të ushtrisë ukrainase, që akuzoi separatistët se kishin kryer 70 shkelje të armëpushimit.

Ndërkaq udhëheqësit separatistë në Ukrainën lindore urdhëruan një mobilizim të plotë ushtarak të shtunën, për shkak të shtimit të dhunës në rajonin e shkatërruar nga lufta dhe frikës në perëndim se Rusia mund të përdorë situatën në atë zonë, si pretekst për pushtimin e Ukrainës.

Shefi  i qeverisë separatiste pro-ruse në rajonin Donetsk, lëshoi një deklaratë duke njoftuar një mobilizim të plotë të trupave dhe duke u kërkuar rezervistëve të paraqiten në zyrat e regjistrimit ushtarak.

Një njoftim i ngjashëm pasoi edhe nga udhëheqësi separatist në rajonin e Luhanskut.

Predha mortajash shpërthyen pranë ministrit të brendshëm të Ukrainës teksa ai vizitonte vijën e frontit në lindje, raportuan gazetarët e AFP.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, hodhi poshtë  çdo pretendim për predha ukrainase që kishin rënë në territorin rus. Këto deklarata pasuan raportimet e Agjencisë ruse te lajmeve TASS se një predhë shpërtheu në rajonin Rostov të Rusisë, një kilometër nga kufiri ukrainas.

Të premten, rebelet pro rusë në rajonet lidnore të Ukrainës nisën evakuimin e civilëve nga zona e konfliktit, në një veprim që dukej se ishte pjesë e përpjekjeve të tyre dhe të Moskës për ta paraqitur Ukrainën si agresore. Deri në orët e pasdites të së shtunës 6600 persona janë evakuuar nga Donjeck, dhe rreth 25 mije janë larguar nga Luhansku.

Uashingtoni thotë se trupat ruse të grumbulluara pranë kufirit të Ukrainës po përparonin dhe janë “gati për të goditur”.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA Lloyd Austin tha se forcat ruse po fillonin “t’i afroheshin më shumë” kufirit me ish-fqinjin e saj sovjetik.

Nënpresidentja Kamala Harris tha në Konferencën e Sigurisë në Mynih se Shtetet e Bashkuara do të përforcojnë krahun lindor të NATO-s për të frenuar përparimin e mëtejshëm ushtarak rus, paralelisht me paralajmërimin për sanksione.

Presidenti i Ukrainës Volodymr Zelenskiy, i cili u takua me zv presidenten amerikane Harris në Mynih, të shtunën deklaroi  se vendi i tij po kërkon “paqe”. Por ai u bëri thirrje gjithashtu anëtarëve të aleancës së NATO-s që të jenë të sinqertë nëse duan apo jo që Ukraina të anëtarësohet.  /abcnews.al