Gjatë fjalës së tij përballë minoritetit hungarez në Rumani, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, u shpreh se në Europë nuk ka as liri dhe as demokraci. Sipas tij në vendet e Bashkimit Europian ka më shumë censurë se kudo.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, përsëriti sërish akuzat e tij për Europën perëndimore nga Rumania. Duke folur përballë minoritetit hungarez në vend, kryeministri akuzoi Europën se nuk është demokratike dhe se atje liria është në rrezik pasi mbizotëron censura.
Ai akuzoi Komisionin Europian, të cilin e quajti si simbol të dështimit politik. Orban tha se Komisioni Europian duhet të jetë rojtar i Traktatit, i traktateve themelues të Bashkimit Europian që vendosin se ky komision duhet të jetë i paanshëm dhe të garantojë barazi dhe katër liritë themelore.
Kryeministri hungarez shtoi se Komisioni Europian i ditëve tona është i njëanshëm pasi reshtohet në anën e liberalëve dhe vepron kundër vendeve të Europës qendrore. Komisioni sipas tij nuk është mik i lirisë sepse punon për të vendosur socializmin në Europë në vend të lirisë dhe se shumë ishin të lumtur që ky Komision Europian i ka ditët e numëruara.
Kreu i qeverisë hungareze dha përkufizimin e tij të demokracisë, që do të ishte anti emigracion, anti multikulturor dhe e bazuar në modelin e familjes së krishterë./abcnews.al