Orban i rikthehet retorikës anti-BE

schedule17:16 - 24 Mars, 2019

schedule 17:16 - 24 Mars, 2019

Pak ditë pasi e djathta euro-parlamentare e përjashtoi nga radhët e saj, kryeministri hungarez Viktor Orban i është rikthyer retorikës anti-BE. Në një intervistë radiofonike, Orban ka deklaruar se BE është i acaruar me qeverinë e tij sepse ajo ka ekspozuar aferat e Brukselit.

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka deklaruar se qeveria e tij mund të rifillojë fushatat mediatike kundër strukturave të Bashkimit Europian, në një kohë kur zgjedhjet euro-parlamentare po afrojnë. Të mërkurën, grupi kryesor i së djathtës në PE, Partia Popullore Europiane votoi për pezullimin e partisë së Orban për shkak të shqetësimit se ekzekutivi i tij kishte shkelur parimet e shtetit ligjor.

Vendimi u nxit pjesërisht edhe nga fushata mediatike e Orban që sulmonte presidentin e Komisionit Europian, Zhan Klodi Juncker, të cilin e portretizonte si një frymëzues të emigracionit masiv në Europë dhe një marionetë të miliarderit amerikan me origjinë hungareze Xhorxh Soros.

Vetë Komisioni Europian i ka hedhur vazhdimisht poshtë pretendimet e Budapestit zyrtar, duke i cilësuar ato trillime. Më herët Orban i dha fund sulmeve dhe u kërkoi falje anëtarëve të PPE-së, por të dielën ai është shfaqur sërish me një ton luftarak në një intervistë për radion publike.

“Njerëzit në Bruksel janë paksa të acaruar me ne sepse ne ndërmorëm një fushatë informative këtu në Hungari, duke ekspozuar atë që po bënte Brukseli. Ne i ekspozuam dhe është normale që ata të jenë të inatosur”, ka thënë Orban.

I njohur për frymën nacionaliste, Orban është përplasur shpesh herë me BE-në në lidhje me fushatën e tij kundër emigracionit dhe reformën në sistemin gjyqësor.

“Detyra jonë është të vazhdojmë të informojmë njerëzit për atë që bën Brukseli dhe nuk duhet të trembemi nga disa masa që kundërshtari ynë mund të marrë ndaj nesh”, ka shtuar Orban./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!