Gazeta prestigjoze britanike “The Guardian”, në një analizë të detajuar i bën thirrje BE-së që të bëjë kujdes nga liderët politikë në Hungari e Serbi, që në Bruksel hiqen si europianë por në vendin e tyre i lobojnë nacionalizmit.
Kryeministri hungarez Viktor Orban dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk janë dy politikanë liberalë që u intereson demokracia apo liria e medias, por dy kamaleonët që i ndryshojnë qëndrimet sipas rrethanave.
Kështu thuhet në një shkrim analitik të publikuar në britaniken “The Guardian”, ku i bëhet thirrje Bashkimit Europian që të mbrojë parimet e veta dhe të mbikëqyrë me kujdes bashkëpunimin mes dy liderëve. Në analizë thuhet se dy miqtë e ngushtë u mëshojnë ndjenjave nacionaliste në vendet e tyre dhe në të njëjtën kohë përpiqen të ruajnë lidhjet me aktorët kyç të Bashkimit Europian.
“Orban dhe Vuçiç janë dy kamaleonët politikë të përsosur. Forca e tyre qëndron në konstatimin e ndryshimit të prirjeve të opinionit publik dhe në përshtatjen me rrethanat e reja”, thotë “The Guardian”.
Në shkrim vihet në dukje se dy liderët nuk kanë marrë drejtimet politike të deklaruara më parë. Nga simbol i demokracisë, Orban është kthyer në përfaqësuesin më të zëshëm të politikave nacionalisto-populiste, ndërsa Vuçiç është bërë një pro-europian i arsyeshëm e i distancuar nga politikat luftarake të Serbisë vetëm në pamje të parë.
Më tej në analizë i bëhet thirrje BE-së, si mekanizmi i vetëm që mund të parandalojë nacionalizmin dhe demagogjinë në këtë pjesë të Europës, të përdorë presionin për të shmangur një rrëshqitje në të kaluarën dhe në rikthimin e tendencave për ndryshimin e kufijve./abcnews.al