Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se Kosova ka vuajtur për investime publike gjatë këtij 4 vjeçari të qeverisë së Albin Kurtit. Në një intervistë për “Ballkan Update”, ai tha se partitë opozitare kanë paraqitur programe të mirë hartuar ekonomike dhe me masa konkrete, ndryshe nga VV.
“Ne si biznes kemi qenë të interesuar për vizionin e partive politike të 4 viteve të ardhshme. Për tri partitë në opozitë kanë një program të mirë hartuar me masa konkrete por edhe me burimin e financimit të atyre projekteve ndërsa VV nuk ka program të shkruar. Kemi parë premtime gjatë fushatës por jo diçka konkrete, se cili projekt, sa do të kushtojë dhe se si do të financohet. Ata kanë qenë në pushtet dhe është dashur që të tregojë se cilat projekte ka realizuar dhe cilat do të jenë të rejat nëse do të marrë një mandat të ri. Sa i përket partive opozitare, janë projekte të realizueshme por edhe mënyra e financimit është shumë e qëlluar dhe e realizueshme. Për ne si biznes është me rëndësi sepse tani fillojmë të bëjmë planifikimet dhe do t’i përshtatemi politikave të qeverisë.”, u shpreh Rafuna.
Sipas tij, problemet me Serbinë kanë ‘trembur’ investitorët, të cilët nuk e konsiderojnë vendin si të sigurt. Sipas tij, Kosova do të zhvillohet ekonomikisht kur të dialogojë me Serbinë. Ai kritikoi edhe qasjen e qeverisë Kurti ndaj kësaj problematike, e cila ka ndikuar në biznes.
“Për t’u zhvilluar ekonomikisht duhet të mbyllë urgjent gjërat e hapura me Serbinë, njohja reciproke. Dhe atëherë Kosova do të ketë imazh tjetër kundrejt investitorëve të huaj. Investitori kërkon siguri juridike por kërkon që të komentohen dhe të jepet mundësia që në bashkëbisedim të përgatitet për implementimin e ligjeve të mira. Kemi pasur deklarata nga liderët që këtë javë do të kemi sulme nga Serbia, të gjitha këto kanë ndikuar që të mos kemi fare interesim për Kosovën. Si odë ekonomike kemi tentuar që ta promovojmë se Kosova është vend i sigurt, dhe nuk do të jetë sulme se trupat e NATO-s janë në Kosovë. Përkundër kësaj kemi kërkuar që të jenë të kujdesshëm në deklarimet e tyre. U desh të vinte drejtori i CIA që të hiqte prej fjalorit ditor fjalinë se do të sulmohemi prej Serbisë. Politika jonë duhet të punojë me seriozitet dhe të jetë e kujdesshme në hapa. Kemi humbur shumë kohë dhe jemi mbrapa.“, shtoi Rafuna./abcnews.al