Opozita në Maqedoni s’i ka votat për rrëzimin e qeverisë

schedule14:08 - 11 Nëntor, 2021

schedule 14:08 - 11 Nëntor, 2021

Opozita në Maqedoninë e Veriut nuk siguroi të enjten votat e nevojshme për ta rrëzuar qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev. Parlamenti e hapi sot seancën mbi nismën e opozitës, e cila u ndërpre me kërkesë të opozitës.

Deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi, prishi planet e partive opozitare. Ai shkroi në rrjetin Facebook se nuk do të votonte për rrëzimin e qeverisë, “duke pasur parasysh çastin politik, për hir të procesit dhe sinjaleve të forta nga partnerët strategjik SHBA dhe Bashkimi Evropian që më janë komunikuar nga përfaqësues të lartë diplomatik, se në muajin dhjetor vendi ka gjasa të mëdha të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, vendosa që mos të marrë pjesë në seancën parlamentare ku duhej të merret vendim me të cilin do të vihet në pikëpyetje, ky pikësynim jetik kombëtar dhe shtetëror”.

Kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi sapo e hapi seancën, u largua për të mos u bërë deputeti i 61-të, meqë nuk e mbështet nismën, ndërsa drejtimin e seancës ia la nënkryetarit të parlamentit, Fadil Zendelit të Lëvizjes Besa.

Nismës për rrëzimin e Qeverisë i duhen 61 deputetë nga 120 sa ka parlamenti. Nënshkrues të kësaj nisme të ngritur nga VMRO-DPMNE-ja janë dy partitë shqiptare të opozitës, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa që së bashku kanë 12 ligjvënës, Lëvizja Besa e cila ka tre deputetë, por me tërheqjen e zotit Rexhepi i mbeten dy dhe partia maqedonase E Majta me dy deputetët e saj.

VMRO-ja ndërkohë ka 44 ligjvënës, dy prej të cilëve, duke qenë në izolim për shkak të koronavirusit, ishin vendosur në hapësira të veçanta të parlamentit./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!