Opozita në Kosovë “sulmon” presidentin Thaçi

schedule12:24 - 10 Nëntor, 2018

schedule 12:24 - 10 Nëntor, 2018

Opozita në Kosovë ka sulmuar sërish presidentin e vendit Hashim Thaci duke thënë se ai nuk kishte mandate që i lejonte të vazhdonte dialogun me homologun serb Vuçiç në Bruksel. Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi tha se Kosova nuk duhet të nënshtrohet në bisedimet me Serbinë.

Opozita në Kosovë e konsideron takimin e së enjtes mes presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiç, një takim të pamandatuar dhe jolegjitim.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, akuzoi presidentin Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, si kolaboracionistë dhe vegla të Serbisë, që me veprimet e tyre vetëm po ndihmojnë planet për marrjen e veriut të Kosovës.

Edhe për shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, zhvillimi i dialogut mes dy palëve pa një platformë të dakordësuar, e ka bërë procesin të pabesueshëm.

Ai kërkoi mbështetje politike për rezolutën që i heq Kreut të Shtetit të drejtën për të diskutuar ndarjen e territorreve, përndryshe përballja me qytetarët do të jetë e pashmangshme.

Ndërkohë, për ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, Kosova nuk duhet të tregohet e nënshtruar në bisedimet me Serbinë, pasi fqinji i tyre verior njeh vetëm gjuhën e forcës.

Vetë palët e përfshira në dialog, Thaçi dhe Vuçiç, u shprehën pas takimit se ekziston ende një mundësi e vogël që dy vendet të arrijnë një marrëveshje. Por, ideja e realizimit të një marrëveshjeje brenda majit të vitit tjetër, kur përfaqësueses së lartë për politikën e jashtme në BE, Frederica Mogherini, do t’i skadojë mandati, duket ende larg. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!