Opozita i ka gjithë shanset të bashkohet…rreth parimeve

schedule21:22 - 9 Janar, 2024

schedule 21:22 - 9 Janar, 2024

Nga Mero Baze, 

Retorika e re brenda opozitës rreth nevojës “për t’u bashkuar’ nuk duhet injoruar. Edhe pse ajo fillimisht zgjon më shumë inate se sa energji pozitive për shkak të emrave të përveçëm, ajo nuk mund të kundërshtohet po përmes emrave të përveçëm.

Retorika e bashkimit vlen si energji pozitive në opozitë, edhe kur thuhet me hipokrizi, por për t’u bërë e sinqertë dhe e vërtetë, natyrisht ka nevojë për disa parime rreth të cilës duhet të bashkohen opozitarët.

Trajtimi i tyre si dele që duhet të bashkohen o rreth Berishës, o rreth Bashës, o rreth Bardhit apo ndonjë tjetri, është fyese.

Lëvizjet politike të vërteta janë ato që i bashkojnë parimet dhe pikat e përbashkëta të veprimit politik.

Dhe ndërkohë që disa politikanë në opozitë, qoftë dhe me hipokrizi po përpiqen të flasin për “bashkim”, është mirë të përcaktohen publikisht parimet rreth të cilave mund të bashkohet opozita.

Duke marrë parasysh arsyet përse opozita është e përçarë dhe akoma më shumë efektet e reformës në drejtësi në Shqipëri, disa nga parimet të cilat mund të siguronin bashkimin e opozitës janë këto.

E para, opozita të bashkohet rreth mbështetjes për reformën në drejtësi. Formalisht është në rregull, pasi e ka votuar dhe ajo reformën, e ka dëmtuar kundërshtarin e tyre politik, më shumë se çdo institucion tjetër në jetën politike të Shqipërisë.

Reforma në drejtësi dhe institucionet e dala prej saj, edhe me votën e opozitës, janë sot armiku më i madh i qeverisë socialiste, Edi Ramës dhe gjithë pushtetit në tërësi.

Kështu që fillimisht opozitarët duhet të mbështesin armikun më të madh të qeverisë Rama, që është SPAK, dhe gjyqësori. Kjo garanton shqiptarët se drejtësia do të vazhdojë dhe pandëshkueshmëria do të marrë fund pavarësisht nëse je në pushtet apo opozitë. Socialistët e kanë bërë këtë edhe pse po paguajnë një çmim të shtrenjtë.

Së dyti, duhet të bashkohen rreth qëndrimit ndaj Perëndimit. Opozita duhet të deklarojë se mbetet forcë pro-perëndimore dhe aleate e madhe e SHBA dhe Bashkimit Evropian, duke përkrahur çdo qëndrim të tyre ndaj Shqipërisë dhe çdo sanksion ndaj çdo politikani të korruptuar apo minuesi të demokracisë në Shqipëri. Socialistët e kanë bërë këtë, edhe pse mes tyre ka persona të sanksionuar nga Perëndimi.

Së treti, opozita duhet të bashkohet rreth nevojës për reforma politike në vend dhe mbështetje të mekanizmave të tyre, siç janë reforma zgjedhore, reforma territoriale, etj, duke qenë një aktor serioz në reformimin e sistemit dhe krijimin e kushteve për lëvizje të reja politike dhe shanse për të rinjtë për të hyrë në politikë.

Për mua do të mjaftonin këto tre parime rreth të cilave duhet të bashkohen, pa qenë nevoja të zënë në gojë emrin e Sali Berishës, Lulzim Bashës, Gazmend Bardhit, Dashamir Shehit apo ndonjë tjetri.

Madje dhe sikur Berisha të bashkohet me këto parime është i mirëpritur, natyrisht si votues.

Çdo gjë tjetër pastaj është përpjekje për të sulmuar drejtësinë, përpjekje për të sulmuar SHBA dhe Perëndimin dhe përpjekje për të ruajtur monopolin në politikë të këtyre që janë; Njëri në majë të dritares së tualetit dhe tjetri në majë të pushtetit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!