Opozita parlamentare votoi kundër vendimit të Kuvendit për të zgjeruar objektin e hetimit për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta në lidhje me çështjen e emërimeve të reja në Gjykatën Kushtetuese. Por kur shumica vendosi t’i drejtohej sërish Venecias për Ilir Metën, nënkryetari i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, Alban Zeneli i ka depozituar pyetjet e tij përfaqsuesve të Venecias.
- Është e pritshme që Gjykata Kushtetuese menjëherë sapo të rikrijohet të shqyrtojë dy çështje me interes të lartë publik: vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, si dhe shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës. Në këtë kontekst aktual faktesh, sa e rëndësishme për legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese është që secili nga organet e ngarkuara nga Kushtetuta në procedurën e emërimit të gjyqtarëve kushtetues (Këshilli për Emërimet në Drejtësi, Kuvend, President i Republikës dhe Gjykata e Lartë) të ndjekin në mënyrë rigoroze procedurat e përcaktuara në Kushtetutë dhe në ligj?
- Për rastet kur kompetenca e emërimit të gjyqtarit kushtetues i përket Presidentit, dhe nëse Presidenti i Republikës konstaton shkelje procedurale të Kushtetutes apo ligjit, në veprimtarinë e Këshillit për Emërime në Drejtësi cili është mjeti që duhet të përdoret për të garantuar legjitimitetin e procesit të emërimit prej tij të gjyqtarëve kushtetues?
- Për rastet kur kompetenca e emërimit të gjyqtarit kushtetues i përket Presidentit dhe nëse Presidenti i Republikës konstaton ndërhyrje të papërshtatshme të mazhorancës politike që qeveris vendin në veprimtarinë e KED , cili është mjeti dhe procedura që duhet ndjekur për të garantuar legjitimitetin e procesit të emërimit prej tij të gjyqtarëve kushtetues?
- Nëse Presidenti i Republikës kërkon publikisht nga Kuvendi zbatimin e parimit të luajalitetit kushtetues në emërimin e gjyqtarëve kushtetues respektivë, por kjo kërkesë e tij nuk merr përgjigje, madje veprohet në të kundërt duke e shtyrë Presidentin të veprojë për emërimin e gjyqtarëve kushtetues prej tij, sa dëmtohet legjitimiteti i Gjykatës Kushtetuese?
- Cili është thelbi i mekanizmit zhbllokues në rastin e zgjedhjes/emërimit të funksionarëve të lartë të drejtësisë, duke përfshirë edhe gjyqtarët kushtetues?
Kuvendi dhe Presidenti i Republikës do të përballen në Komisionin e Venecias muajt e ardhshëm pasi të dy institucionet janë duke hartuar shkresat për të diskutuar kushtetuteshmërinë e vendimarrjes së kreut të shtetit me emërimet e reja në Gjykatën Kushtetuese./abcnews.al