Analisti Artur Nura vlerëson se Berisha ka një ndryshim taktike në raport me drejtuesin e ri të SPAK-ut, ndërsa tensionet personale me Altin Dumanin mbeten, veçanërisht lidhur me politikat e paraburgimit që kërkojnë përmirësim ligjor.
Nura thekson se çështjet në shqyrtim duhet t’i lihen vendimit të gjykatës, e cila disponon më shumë prova dhe dokumente se opinioni publik.
“SPAK-u po bën një punë serioze, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme që i ka bërë Berisha në mënyrë konstante. Tani ka një taktikë të re me drejtuesin e ri të SPAK-ut, ku kërkon të mbajë një dialog. Me Dumanin vazhdon të ketë një inat personal, ku mund të ketë të drejtë sa i përket politikave të paraburgimit, për të cilat duhet që ligjvënësit të rregullojnë reformën në drejtësi, në mënyrë që të ketë një politikë më efikase.
Meta vazhdon të kërkojë një masë më të lehtë, duke argumentuar se, sipas tij, nuk ka më rrezik për presion apo për prishjen e provave. Megjithatë, duhet të presim, pasi gjykata ka më shumë dokumente sesa ne. Duhet një vendim edhe për familjarët e atyre që nuk jetojnë më pas 21 Janarit; për ta, gjykata duhet të marrë një vendim, pasi ata ishin të pafajshëm në një protestë demokratike dhe demokracia e njeh protestën si një element pozitiv.”
Analisti Nura shtoi se opozita nuk po ofron alternativa reale politike, duke mos përmbushur nevojat e qytetarëve dhe duke kontribuar në largimin e shqiptarëve nga vendi.
“Opozita nuk ofron alternativa dhe nuk paraqet një qasje të re. Trembëdhjetë vite pushtet e konsumojnë një forcë politike dhe qytetarët nuk po gjejnë një alternativë që të sjellë një qasje të re për ata që vijnë në pushtet. Nëse nuk ofron alternativë, nuk ke kryer detyrën tënde dhe nuk ke justifikuar nevojat e qytetarëve. Opozita është një nga aktorët që po nxit shqiptarët të largohen nga vendi.”, tha Nura. / abcnews.al /


