I shqetësuar nga raportimet e fundit, doktor Berisha doli të justifikojë copëzimin e opozitës në tre grupe parlamentare.
“Koalicioni është bërë mbi bazën e rekordeve elektorale. Unë nuk di ndonjë teknikë tjetër më të drejtë, më të ndershme, se sa rekordin elektoral për të bërë koalicionin. Gjithmonë në eksperiencën e gjatë, koalicionet kanë pasur në bazë rekordin elektoral. S’di ndonjë mënyrë më të mirë.”
Por pse i duhen 3 grupe parlamentare Berishës?
“Opozita nuk është e kontrolluar nga qeveria. Por e shtypur nga qeveria. Diktaturat totalitare, ato me ligj ndalohet formimi i forcave të tjera politike dhe kjo forcë politike është hegjemone. E thotë Kushtetuta. Por kjo quhet diktaturë autoritare, jo totalitare, autoritare. Kjo e pranon pluralizmin, por çfarë bën? Kjo e shtyp pluralizmin.”
Me paratë në xhep dhe kohën në dorë, doktori konfirmoi edhe një herë se do të hyjë në parlament. Si humbës, mendon se është legjitim, kurse fituesi Edi Rama jo.
“A ka legjitimitet Edi Rama të krijojë qeveri me farsë elektorale, unë të them kurrë.”
Po Gazment Bardhi?
“Urdhëro? Gazment Bardhi, meqë po më pyet mua, gjykoj se e ka kryer me dinjitet dhe e përmbush me dinjitet atë detyrë. Por një gjë, funksionet ne i përcaktojmë në mënyrë demokratike. Ka rregulla aty”
Një opinion që ia ngroh zemrën Gazit, por kur vjen puna tek rregullat e doktorit, Bardhi e di se buzëqeshja ngrin. Të gjitha pikëpyetjet marrin fund më 10 shtator.
Seancën e parë parlamentare, të cilën Berisha si deputeti më i vjetër refuzon ta drejtojë.
“Një parlament jo legjitim, nuk mund ta hap kurrë, kurrë. Harroje”
Por për një moment, dhe vetë doktorit i ngriu buzëqeshja.
“Më fal, po pas Tritanit kujt i vjen radha?
Vasil Llajos?
Kujt?
Vasil Llajos?
Aha, thashë se ishte Edit./abcnews.al

