Një sasi prej 1 kilogrami heroinë është sekuestruar nga Policia e Elbasanit në kuadër të operacionit të koduar “Trajektorja”, ndërsa në pranga kanë përfunduar dy persona të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike.
Hetimet dokumentuan aktivitetin e dy shtetasve që dyshohej se po transportonin heroinë të trafikuar nga Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë.
Automjeti tip furgon me të cilin udhëtonin shtetasit 32 vjeç, banues në Strugë, dhe 45 vjeç, banues në Durrës, u ndalua për kontroll në aksin rrugor Bulqizë–Librazhd.
Gjatë kontrollit të imtësishëm, efektivët gjetën një çantë shpine të fshehur në gomën e pasme të automjetit, ku ndodhej 1 kilogram heroinë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se lënda narkotike ishte siguruar nga shtetasi L. G. në Maqedoninë e Veriut dhe ishte futur në territorin shqiptar përmes kufirit të gjelbër. Më pas ajo do t’i dorëzohej shtetasit A. B., i cili dyshohet se do ta shiste në Shqipëri.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, furgoni tip “Fiat”, dy telefona celularë, si dhe 40 mijë lekë, 50 euro dhe 290 denarë.
/abcnews.al/


